Nani inspirohet nga konkurrenca

Mesfushori i Manchester Unitedit, Nani ka theksuar se do të inspirohet nga konkurrenca e fortë për një vend në formacionin bazë të ekipit.
Ardhja e Ashley Young nga Aston Villa ka shtuar rivalitetin me portugezin, i cili për shkak të lëndimit të Antonio Valencias në edicionin e kaluar ishte i vetmi futbollist i krahut në dispozicion të Sir Alex Fergusonit.
Danny Welbeck luan në krah dhe tani është kthyer në ekip pas periudhës së suksesshme të huazimit në Sunderland, ndërsa Mame Biram Diouf u paraqit në atë pozitë në pjesën e parë të fitores 3-1 ndaj Chicago Fire në fundjavë. Por, Nani mirëpret konkurrencën.
“Konkurrenca është e mirë. Ajo ju inspiron. Nëse keni konkurrencë stërviteni më tepër dhe e shtyni veten në çdo ndeshje. Në Manchester United duhet të jeni të gatshëm sa herë që hyni në fushë”, tha Nani për FIFA.com.
24 vjeçari kontribuoi me nëntë gola dhe 18 asistime në sezonin e kaluar, duke i ndihmuar Manchester Unitedit të fitojë titullin rekord të 19-të në Premierligë. Por, as ky bilanc nuk i mjaftoi që ai të jetë titullar në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, kur u mposht me rezultat 3-1.