E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano-Basha, kulisat e takimit të së premtes

 

Aristir Lumezi

Ish-kryeministri socialist Fatos Nano dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, më në fund gjetën kohën dhe mundësinë të jenë bashkë në një drekë. Lajmi ekskluziv i publikuar dje nga "Panorama", duket se ka shkaktuar reagime tek përfaqësues të lartë socialistë që i janë shmangur komenteve për të. Takimi mësohet të ketë qenë një kërkesë e vazhdueshme e ministrit të Jashtëm për një drekë me ish-kreun socialist, njeriun me influencë brenda të majtës, por një gjë e tillë kishte qenë e pamundur deri para të premtes. Kjo për shkak se Nano udhëton shumë jashtë shtetit, si edhe ministri i Jashtëm, Basha, për shkak të axhendës së tij të ngjeshur në përfundim të ratifikimeve të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga vendet anëtare të Aleancës. Dy njerëzit me influencë brenda të majtës dhe të djathtës, më në fund kanë gjetur hapësirën për t'u takuar. Ka qenë një mik i afërt mes Nanos dhe Bashës që ka ndërmjetësuar takimin mes tyre. Takimi, i cili ishte lënë për në mesditën e të premtes, është zhvilluar në një nga lokalet e njohura në periferi të Tiranës. Rreth orës 12:30, në "Prince Park", pranë rezidencës presidenciale të Pallatit të Brigadave, ka mbërritur ministri i Jashtëm, Basha dhe pak minuta më vonë edhe kryeministri i fundit socialist, Fatos Nano. Si Nano, ashtu edhe Basha, dhe pse e premte mesditë, nuk kanë paraqitur aspak nuanca sportive, por kanë qenë të veshur me petkun zyrtar, kostum dhe kollare, duke vlerësuar pozitën e njëri-tjetrit. Në këtë orë në lokal nuk ka pasur shumë njerëz që e frekuentonin, me përjashtim të ndonjë ambasadori të akredituar në Tiranë që ndodhej rastësisht aty për drekë pune. Nano dhe Basha janë ngjitur në katin e sipërm, në sallën 'prive' të restorantit të njohur, aty ku Nano drekon zakonisht me miqtë e tij të afërt. Nano ishte ftuar për drekë nga Lulzim Basha për të konsumuar bashkë biseda me tematika nga më të ndryshmet, por që mbeten të panjohura për njerëzit jashtë këtij takimi. Edhe pse Basha sapo është kthyer nga një tur diplomatik, që përfundoi me ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO me parlamentin grek, temat e bisedës mes tyre besohet se e kanë tejkaluar NATO-n dhe BE-në. Por duket se dreka e Nanos me Bashën nuk është parë mirë nga përfaqësues të lartë të PS-së, të cilët edhe pse e konsiderojnë si një nga lëvizjet surprizë të Nanos, e përjashtojnë të ketë lidhje me zgjedhjet apo lëvizjet politike para tyre. Ata nuk preferojnë të komentojnë më tej këtë takim, ndoshta edhe duke pasur në vëmendje një reagim të fundit që ish kryesocialisti bëri pak ditë më parë në gazetën "Panorama". Përmes një deklarate në gazetë, Nano i kërkoi sekretarit socialist Fatmir Xhafaj të mos përdorte dhe abuzonte me emrin dhe kontributin e tij për të mbledhur votat e politikës së re.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›