E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramës i ikin dritat gjatë fjalës së tij: Berisha dështoi për 24 orë drita

 

Kryetari socialist ka vazhduar takimet e tij me vullnetarët në qytetin e Librazhdit. Vullnetarët e PS-së kësaj radhe ishin të shumtë në takimin me kryetarin socialist, duke mbushur dhe sheshin jashtë sallës së kinoteatrit të qytetit. Rama ka sqaruar se vizioni i socialistëve për një politikë të re synon rimëkëmbjen e Shqipërisë. "Asnjëherë papërgjegjshmëria dhe i pari i punëve të këtij vendi nuk kanë qenë më bashkë sesa sot. Asnjëherë paaftësia dhe i pari i qeverisë së këtij vendi nuk kanë qenë më të njehsuar sesa sot. Asnjëherë korrupsioni dhe kryeministri i këtij vendi nuk kanë qenë më të lidhur me njëri-tjetrin sesa sot. Të ndahemi nga politika e dyfytyrësisë dhe e parimit 'Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë!'", u shpreh Rama. Por gjatë fjalës së tij, në sallën e kinoteatrit kanë ikur dritat, edhe pse KESH ishte lajmëruar më parë për takimin e kreut socialist. Ky moment, i cili është konsideruar nga të rinjtë si një sabotim i takimit, ka shërbyer për të ndezur edhe më shumë entuziazmin e sallës. Rama gjatë fjalës së tij është ndalur edhe në premtimin për 24 orë drita të 2005, për të cilin Kryeministri Berisha betohet se e ka mbajtur solemnisht, por në fakt realiteti ofron fakte të tjera. "Sot jemi 127 ditë nga përfundimi i mandatit të kësaj qeverie, e cila u votua me shumë premtime dhe një nga këto premtime ishte 24 orë drita, 24 orë ujë, por sot kur duhet të ishte mbajtur ky premtim dhe kur ne në orën 4 pasdite, në një qytet jemi pa drita, dhe kur të gjitha fshatrat e vendit kanë rregullisht mungesë dritash, nga 4 deri në 8 orë, Sali Berisha thotë e mbajtëm premtimin solemn: në Shqipëri nuk ka ndërprerje dhe ne i furnizojmë familjet shqiptare me 24 orë drita. Kurse qytetet e vogla si Librazhdi, nuk quhen dhe nuk llogariten kur flitet për halle dhe probleme. Mjafton që të ketë drita në Tiranë dhe në dy a tre qytete të mëdha, dhe për ta kjo është një punë e kryer, ndërkohë që për ne nuk mund të ketë një Shqipëri evropiane në Tiranë dhe një Shqipëri evropiane mesjetare që jeton në fshat, apo në qytete si Librazhdi, sepse Shqipëria është një dhe qytetarët e Shqipërisë janë qytetarë të Shqipërisë me liri dhe të drejta të barabarta, qofshin në Tiranë, qofshin në Librazhd, qofshin në Tropojë, qofshin në Konispol, qofshin në fushë, qofshin në mal", tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›