Nano: Berisha po kërcënon zgjedhjet me Arben Ristanin dhe Flamurin
Fatos Nano, që nuk e tha asnjë fjalë kur Arben Ristani shkatërroi zgjedhjet në Tiranë, tani mendons e ai kërcënon zgjedhjet. Nano: Flamuri i PD tani po valëvitet në zyrën e ministrit të Brendshëm
Lëvizja Nano ka publikuar një tjetër e-mail, ku ka rritur dozën e kritikave ndaj kryeministrit Sali Berisha. Nano, që nuk tha asnjë fjalë kur Arben Ristani shkatërroi zgjedhjet në Tiranë, tani thote se Ristani dhe Flamur Noka do vjedhin zgjedhjet.
Qëndrimi i kryeministrit Sali Berisha në mbështetje të kryetarit të KQZ, Arben Ristani, është as më pak e as më shumë, por vazhdimësia kokëfortë dhe dritëshkurtër e mendësisë dhe udhëtimit politik aventuresk, që ngushton demokracinë, privatizon dhe partiakizon institucionet, si edhe dëmton e pengon integrimin. Sali Berisha po dëshmon me këmbëngulje se është i paaftë të ndërtojë një shoqëri të lirë, të drejtë, demokratike dhe të denjë për të merituar integrimin. Sali Berisha punon veç për partinë e tij dhe për betejën e ardhshme elektorale, duke keqpërdorur dhe akaparuar shtetin, e njëkohësisht duke cenuar e dëmtuar zhvillimin e vendit dhe integrimin europian. Sali Berisha po dështon me vullnet të lirë që të jetë një shtetar, duke u konfirmuar dhe afirmuar në çdo akt, vendim e veprim si një partiak i modelit të lënë pas në vitin 1990, thuhet në njoftimin e Nanos.
Arben Ristani është modeli dhe fryma e privatizimit dhe partiakizimit të institucioneve të shtetit shqiptar, e si i tillë ai nuk mund të jetë më pjese e vazhdimësisë, kur në lojë është reformimi europian i vendit. Mendësia e re që kërkohet është mendësia e depolitizimit, departiakizimit të institucioneve dhe shtetit shqiptar, duke ua rikthyer ato qytetarëve shqiptarë. Avokatia që Sali Berisha i bën Arben Ristanit është provokative dhe e patolerueshme, dhe një atentat i rëndë që i bëhet nevojës për mirëbesim dhe mundësive për bashkëpunim me opozitën shqiptare. Me avokatinë që i bën Arben Ristanit dhe me Flamurin e Partisë Demokratike që nga sot do të fillojë të valëvitet edhe në zyrën e Ministrit të Brendshëm, Sali Berisha vetërrëfehet i orientuar drejt udhës që rrezikon reformat, kërcënon zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ndëshkon shqiptaret me dështimin e rradhës me mosmarrjen e statusit kandidat, vijon deklarata.
Nano sërish u bën thirrje opozitarëve të bashkohen për të larguar Berishën.