E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano-Berisha takim në televizion

07/06/2005  Brenda muajit kryetarët e dy partive të mëdha do të paraqesin strategjitë në media

Drejtuesit kryesorë të fushatës së PD e PS nisin bisedimet për detajet e përballjes publike

Kryetari i Partisë Demokratike dhe ai i Partisë Socialiste do t'i japin sërish dorën njëri- tjetrit, gjatë këtij muaji. Dje, me anë të zëdhënësëve përkatës të fushatës, Fatos Nano dhe Sali Berisha kanë pranuar që të përballen në një debat televiziv, në një nga mediat shqiptare. Një veprim i tillë nuk është realizuar që prej zgjedhjes së Presidentit të Shqipërisë. Prej këtij takimi lindi marrëveshja për reformën në institucionet e Shqipërisë dhe u arrit zgjedhja e Presidentit konsensusal. Megjithatë, duket se këtë radhë mes Nanos e Berishës nuk do të ketë një shtrëngim duarsh për arritjen e një marrëveshjeje konsensuale, pasi krerët e dy partive më të mëdha do të ballafaqohen me programet dhe strategjitë e tyre, me të cilat janë duke kërkuar votën e elektoratit. Në këtë pikë, si Nano dhe Berisha ndodhen në pozita tërësisht të kundërta. Madje, të dy kanë deklaruar se në rast të humbjes së votimit do të largohen nga drejtimi i partive. Tashmë janë stafet e dy partive, që do të kujdesen për të zgjedhur formën e ballafaqimit.

Nano

Në deklaratën e PS-së është lënë e nënkuptuar se debati mund të transmetohet prej disa mediave në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndërsa pritet që pyetjet të mos drejtohen vetëm nga një gazetar, por prej disave. Megjithatë, socialistët tashmë e kanë përqëndruar fushatën e tyre, duke u kujtuar shqiptarëve vitin 1997, kur shteti u trondit prej firmave piramidale. Ndërsa në lidhje me atë çfarë do të bëhet në katër vitet e ardhshme, theksi vihet te ndërtimi i rrugëve, shëndetësia, arsimi, bujqësia dhe ujësjellësa e integrim. Për arritjen e këtyre hapave, socialistët vlerësojnë se nuk do të ketë rritje të mëtejshme të taksave, duke premtuar qëndrimin në të njëjtat parametra. Si garanci, krerët e PS-së kanë vendosur investimet nga viti 2001 deri në vitin 2005, duke i cilësuar si zhvillime pozitive. Pritet që Nano në pyetjet e tij të përqëndrohet në atë se a ka ndryshuar apo jo PD nga veprimet e vitit 1997.

Berisha

Më 17 prill të këtij viti, kreu i PD-së, Sali Berisha, i ka bërë thirrje Nanos, prej një mitingu në rrethe, për ballafaqim mediatik. Madje, Berisha është shprehur i gatshëm që debati të jetë si në mediat e vendit dhe në ato të huaja. Në strategjinë e vet, Partia Demokratike ka vendosur uljen e taksave, uljen e shpenzimeve qeveritare dhe rritjen e investimeve. Ndërsa fushata është bazuar kryesisht në deklaratën për luftë kundër korrupsionit dhe monopoleve. Ndaj, në ballafaqimin me Nanon, Berisha pritet të përqëndrohet në pyetjet mbi monopolet dhe varfërinë.

Lufta e deklaratave të zëdhënësave

Blendi Klosi

“Në shërbim të transperencës dhe të modernizimit të kësaj fushate elektorale, Kryeministri dhe kryetari i PS-së, Fatos Nano, fton drejtuesin e opozitës, z.Sali Berisha, në debat publik të hapur dhe në prezencën e televizioneve kryesore dhe analistëve të tyre. Një debat i cili për socialistët është shumë i rëndësishëm, për të larguar debatin dhe përfshirjen nga fushata të ndryshme nga tribunat elektorale të rrethit dhe duke e sjellë atë pranë gjithë opinionit publik. Për ta sjellë këtë debat pranë mediave dhe është një debat për të gjithë ata që duan të shohin ndryshimin e madh që forca jonë politike paraqet qoftë në fushën e brendshme, po ashtu dhe në problemet e jashtme. Kjo është një ftesë e qartë e Kryeministrit Nano që brenda fushatës elektorale ai të ketë në një debat publik liderin e opozitës në një ambient të hapur në një studio të hapur me prezencën e të gjithë kamerave dhe televizioneve kryesore dhe natyrisht dhe të komentatorëve të ndryshëm politik. Debati do të jetë i mbështetur vetëm mbi fakte nga ana jonë”.

Lulëzim Basha

Fatos Nano njoftoi sot, përmes Blendi Klosit, se e pranoi ftesën për debat televiziv të bërë nga Berisha, që më 17 prill, të ripërsëritur nga ai disa herë e të transmetuar disa herë në media. Me këtë rast, Berisha vlerëson pranimin e ftesës së bërë nga ai dhe është i gatshëm për debat që nesër. Personat e ngarkuar do të merren me organizimin e detajeve të zhvillimit të këtij debati. Do të shpresonim që Nano që nga koha që i është bërë ftesa nga Berisha, ta ketë shfrytëzuar kohën për t'u përgatitur. Personat e ngarkuar me organizimin e këtij debati njihen dhe nga Partia Socialiste ashtu dhe Partia Demokratike. Nano ka menduar dy muaj, që më 17 prill, për të pranuar një debat të tillë. Erion Braçe propozon kushtet e Partisë Socialiste

Krerët e Partisë Socialiste kanë zgjedhur kryeredaktorin e „Zëri i Popullit„ njëkohësisht deputetin e kësaj partie, Erion Braçe, për të përfaqësuar PS-në në organizimin e debatit publik Nano-Berisha. Sipas zëdhënësit të fushatës të Partisë Socialiste, Blendi Klosi, strukturat e partisë kanë përzgjedhur Braçen, si një figurë i cili është më pranë mediave dhe që njeh botën politike. Organizimi i debatit mes dy liderave kryesore të politikës shqiptare ka sjellë në rrethet politike një angazhim të ethshëm të tyre. Ndërsa nga ana tjetër do të rrisë në mënyrë të ndjeshme interesin e publikut për të ndjekur një debat të tillë, që rallëherë rastis që të jetë në të njëjtën sallë. Kryeredaktori Braçe duket se i është përgjigjur pozitivisht kësaj përzgjedhje në një kohë që mësohet se po përgatiten dhe disa kushte për të zhvilluar një debat të këtyre përmasave. I pyetur nga „Metropol“, Braçe nuk ka dëshiruar që të japë komente mbi këtë vendim të Partisë Socialiste. Megjithatë, ai do të nisë bisedimet me përfaqësuesin e Partisë Demokratike, Mero Baze, i cili që dje ka deklaruar kushtet e para të PD-së mbi debatin publik. Por, dhe në deklaratën e dhënë për shtypin, socialistët kanë kërkuar që debati të transmetohet në disa media njëherësh dhe të drejtohet prej disa analistësh. Tashmë socialistët janë duke studiuar propozimin e Bazes, që kërkoi që në debat të jenë katër analistë, dy të përzgjedhur nga Partia Demokratike dhe dy të jenë të përzgjedhur nga Partia Socialiste. Sot pritet që të jepen konkluzionet e para të bisedimeve, për të arritur në vendimin përfundimtar.

PD: Debati me katër analistë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përcaktuar disa kritere mbi pjesëmarrjen e tij në debat me Kryeministrin Nano. Kryetari i PD-së kërkon që debati të zhvillohet në një televizion kombëtar dhe në një emision me shikueshmëri të lartë dhe moderator i pranuar nga të dyja palët. Berisha nga ana e tij kërkon që pjesëmarrës në emision të jenë dhe katër analistë të njohur, dy prej të cilëve të zgjidhen nga Berisha dhe dy të tjerë nga Kryeministri Nano. Të gjitha këto janë bërë të ditura në një deklaratë për shtyp të dhënë nga përfaqësuesi i Berishës për organizimin e debatit, Mero Baze. “Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, më ka ngarkuar në cilësinë e një eksperti të medias, të negocioj me një përfaqësues të kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, mbi formatin dhe moderimin e debatit të tyre televiziv, në një nga ditët e fushatës elektorale. Do të dëshiroja që përfaqësuesi i palës socialiste, të ishte po ashtu një ekspert nga media e pavarur, ku dhe do të zhvillohet debati televiziv. Në pritje të tij dhe në përgjigje të interesit të shtypit shqiptar, ju njoftoj se koncepti ynë për debatin televiziv, bazohet në traditën e debateve profesionale. Së pari, zoti Berisha preferon që debati të prodhohet nga një stacion televiziv kombëtar. Së dyti, të jetë pjesë e një emisioni të njohur dhe me shikueshmëri të lartë në opinionin publik. Së treti, të jetë një moderator i pranuar nga të dy palët. Për të realizuar një debat sa më të hapur dhe të paanshëm, jemi të hapur që në këtë debat të përfshihen edhe katër analistë të njohur të shtypit shqiptar, dy prej të cilëve të kenë pëlqimin e zotit Fatos Nano dhe dy të tjerë pëlqimin e zotit Sali Berisha. Çështja e transmetimit të këtij debati nga rrjetet e tjera televizve, është një çështje që zgjidhet mes producentit dhe kanaleve televizve. Ne do të këmbëngulim në kushtet e kontratës me producentin, që ai ta japë të drejtën e trasmetimit për këdo dhe pa pagesë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga përfaqësuesi i kryetarit të PD-së, Mero Baze.

Meta fton Nanon e Berishën në debat Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, ka ftuar në debat të përbashkët publik dy liderët kryesore të politikës shqiptare. Një debat i hapur Nano-Meta-Berisha sipas kreut të LSI-së duhet të bëhet për faktin e vetëm se politika e polarizuar në Shqipëri tashmë ka marrë fund. Tashmë LSI-ja është një faktor i rëndësishëm në jetën politikë të vendit dhe sipas Metës ftesa që i dërgohet Nanos dhe Berishës bëhet dhe për arsyen se njëri ka prodhuar projekte të dështuara për vendin, kurse tjetri ka qeverisur në mënyrë të dështuar duke sjellë monopole të fuqishme dhe varfëri të tejskajshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›