E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kandidatët fushat me lekët e veta

07/06/2005  PD nuk do të financojë konkurentët nga fondi që do të marrë prej Buxhetit të Shtetit

Kandidatëve të PD-së do t'u duhet ta përballojnë me financat e tyre shpenzimet e fushatës elektorale. Burime në PD shprehen se, pavarësisht se së shpejti pritet të lëvrohet fondi i Buxhetit të Shtetit për partitë politike, deputetët që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme nuk do të marrin asnjë qindarkë nga ky fond. Sipas drejtuesve të fushatës, fondi që i akordohet partive mezi arrin të mbulojë fushatën e vetë partisë për karburant, reklama në media, apo shpenzime të tjera, ndaj dhe nuk mund të ketë kuota për zonat zgjedhore.

KQZ

Kandidatët shprehen se edhe në rast se fondi i Buxhetit të Shtetit do të ndahej mes tyre, sërish ai është i pamjaftueshëm për të përballuar një fushatë elektorale, e cila këtë herë duket se ka filluar që prej dy muajsh. Nga Buxheti i Shtetit, Partia Demokratike e renditur e dyta në zgjedhjet e kaluara, përfiton rreth 17 milionë lekë, që i korrespondon rreth 170 mijë lekë çdo kandidati. Burime në PD shprehen se shuma që akordohet nga buxheti do të shkojë për zhvillimin e fushatës nga ata që përçojnë mesazhin e PD-së, pra kryetari i partisë, nënkryetarët dhe sekretarët. Ndërkohë, kandidatët po e përballojnë fushatën kryesisht nga shpenzimet e veta dhe nga donacionet e bizneseve të ndryshme të zonës. Për çdo donacion në sektorin organizativ të PD-së nga ana e kandidatëve dorëzohet një deklaratë, e cila jep dhe emrin e personit që ka kryer këtë donacion. Të njëjtat burime shprehen se kandidatët kur janë përzgjedhur kanë marrë përsipër edhe shpenzimet e fushatës, ashtu siç ka ndodhur në çdo fushatë tjetër zgjedhore.

Partitë e tjera

Sipas përllogaritjeve, një fushatë e thjeshtë zgjedhore për garimin në mazhoritar kushton të paktën rreth 2 milionë lekë të reja në dy muaj fushatë. Brenda saj përfshihen takimet dhe marrjet me qira të ambienteve të ndryshme të zyrave elektorale dhe lokaleve për tubime, posterat elektoralë, flamurët, fletëpalosjet, karburanti, shpenzimet e stafit elektoral etj. Ndërsa për sa i përket partive të tjera aleate, që kandidojnë në proporcional shumat janë më të vogla. Edhe kandidatët e këtyre partive nuk përfitojnë nga fondi i Buxhetit të Shtetit, që shpërndahet për këtë qëllim, por puna e tyre në përgjithësi përmblidhet në afishimin e posterave elektoralë dhe të takimeve me strukturat, ku jepen udhëzimet për mënyrën se si duhet të adresohen zgjedhësit kur të votojnë. Ndërsa për sa i përket ambienteve të marra me qira, si zyra elektorale, në më të shumtën e rasteve përdoren ato të kandidatit që garon në proporcional, ndërkohë që e njëjta praktikë ndiqet edhe për takimet. Pra, kur kandidati i mazhoritarit zhvillon takime elektorale me zgjedhësit e tij, njëkohësisht paraqet në to dhe kandidatët e proporcionalit, duke i dhënë dhe porositë përkatëse që votën në listën shumemërore ta adresojnë në favor të njërit prej kandidatëve të partive aleate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›