Nano: Mos spekuloni me mua

Lideri historik i të majtës Fatos Nano, thyen heshtjen pas disa muajsh dhe jep një prononcim zyrtar ky sqaron pozicionin e tij në raport me Partinë Socialiste. Fatos Nano kërkon prej drejtuesve të ish-partisë së tij të mos mbledhin vota duke spekuluar me emrin e tij në bazën socialiste. Në një prononcim të dhënë për gazetën Panorama, ish-kreu i Partisë Socialiste duke iu përgjigjur sekretarit për çështjet zgjedhore në PS, Fatmir Xhafaj, sipas të cilit PS tashmë është një realitet i ri dhe gjithë të tjerët duhet të kontribuojnë në këtë parti, Nano thotë se "Njeriu i fundit që mund të bënte një deklaratë të tillë nga PS-ja është Xhafaj, dhe ai që më pak nga të gjithë të tjerët e kupton këtë realitet është Xhafaj". "Natyrisht që spekulime të tilla do të ketë dhe asnjë nga tipa si ky s'do të munden të mbledhë vota në emër të Fatos Nanos, edhe në të ardhmen", është shprehur Nano në këtë prononcim zyrtar. Pak ditë më parë ish-kryetari socialist u shfaq në sallën e parlamentit, me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Por kjo vizitë e tij nuk kaloi pa shkaktuar reagimet e radhës. Mësohet se Nano do të shprehë në ditët në vazhdim një pozicionim të qartë lidhur me rolin që do të luajë në zgjedhjet e qershorit. Deri tani nuk ka një ftesë nga ana e kryetarit aktual socialist Edi Rama në adresë të paraardhësit të tij për të bashkëpunuar apo konsultuar në momente të vështira politike që e majta dhe PS-ja ka kaluar. Pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, korrik 2005, sipas premtimit që kishte dhënë, Nano dha dorëheqjen nga drejtimi i PS-së, duke e lënë të qetë terrenin politik të majtë, deri në negociatat me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në korrik 2007-tw. Por edhe pse Nano arriti të marrë firmat e deputetëve për të qenë kandidat për kreun e shtetit, Nano nuk u mbështet nga kreu aktual socialist Edi Rama, ndërsa deputetë mbështetës të tij dhanë votën e tyre për kandidaturën e Bamir Topit, duke e zgjedhur president të vendit.