E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e akcizave, 2 miliardë më shumë në arkën e shtetit

03/02/2009  Pesha e akcizës ndaj PBB-së do të rritet në 3.8 për qind gjatë këtij viti

Barra që duhet të paguajnë importuesit e naftës për çdo litër karburant do të sjellë 2 miliardë lekë në arkën e shtetit. Ekspertët e ekonomisë kanë parashikuar se rritja e peshës së akcizës ndaj PBB-së duke arritur në 3.8 për qind në vitin 2009. Ky nivel do të jetë i qëndrueshëm edhe gjatë viteve në vijim, nga 3.5 për qind e PBB-së që ishte parashikuar në buxhetin suplementar të vitit 2008.

Parashikimi

Ekspertët e ekonomisë kanë bazuar parashikimin e tyre në disa skenarë për realizimin e këtyre shifrave. Mes tyre është trendi historik i realizimit të të ardhurave nga akciza, aspektet makroekonomike, siç është rritja ekonomike prej 6.3 për qind si dhe një normë konstante inflacioni përgjatë periudhës, prej 3 për qind. Gjithashtu, një shtysë për këtë parashikim të realizimit të të ardhurave nga akciza është edhe përmirësimi administrativ dhe ndryshimi i normave të akcizës që parashikohen të jetë rreth 8 për qind në vitin 2009. Kjo për shkak të harmonizimit të shkallës tatimore të akcizave për vitin 2009 sipas produkteve dhe niveleve të tyre të prodhimit vjetor sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Zhdoganimi

Në asnjë rast edhe pse është vënë re një rritje e çmimit të naftës, nuk është vënë re një ulje drastike e konsumit, apo zhdoganimeve. Përkundrazi, gjatë vitit që lamë pas është evidentuar një rritje të ndjeshme të importeve të karburanteve nga doganat. “Administrata doganore ka zhdoganuar rreth 15 mijë ton karburant më shumë se një vit më përpara, e cila përbën 4 deri në 4.5 për qind rritje në krahasim me vitin 2007”, - janë shprehur drejtues të Doganave. Masa e marrë nga Ministria e Financave për të mbajtur akcizën e naftës në 37 lekë, sipas drejtuesve të Doganës, nuk do të ndikojë në çmim. “Kjo është një masë stabilizimi. Kjo ndërhyrje që është bërë në paketën fiskale, e cila akoma nuk është bërë efektive, nuk ka tregues që ka ndikuar në treg”, - ka thënë pak ditë më parë kreu i Doganave, Përparim Dervishi.

Të ardhurat doganore

Më pak optimist është trendi i realizmit të taksave doganore. Për shkak të reduktimit të niveleve të tarifave doganore do të vazhdojë rënia e të ardhurave për vitin 2009. Zbatimi i Marrëveshjeve të Ndërmjetme me OBT-në, CEFTA, MTL me Turqinë, deri në 2011-n do të bëjë që në vitin 2009 të arrihet vetëm një nivel prej rreth 6.1 miliardë lekë, të ardhura nga këto taksa, krahasuar me 9.4 miliardë lekë në 2008.

Përjashtimet

Mallrat e akcizës mund të dalin nga një magazinë tatimore pa pagesën e akcizës, vetëm në rastet kur ato janë të destinuara për eksport, kur janë për t’u dërguar në një magazinë tjetër tatimore të miratuar. Po kështu parashikohet edhe rasti kur janë për furnizimin e anijeve apo avionëve si artikuj të shitjes me pakicë për pasagjerët, me kushtin që këto anije apo avionë ndalesën e parë ta kenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›