PS: Berisha gënjeu për rritjen ekonomike

Partia Socialiste ka reaguar për situatën ekonomike duke e konsideruar atë shumë të ulët. Sipas nënsekretarit për programin politik në Partinë Socialiste, Ilir Beqaj shtresa e varfër nuk përfiton nga rritja ekonomike. "Kryeministri gënjen për ndihmën ndaj shtresave në nevojë. Pagesa për paaftësinë e kufizuar është rritur jo më shumë se 40 % që prej qershorit 2005", deklaroi ai. Beqaj theksoi se "Berisha gënjeu për ndihmën ndaj kësaj shtrese në nevojë. Dje, kryeministri tregoi publikisht se edhe 44 muaj në karrigen e qeveritarit të parë të vendit, nuk kanë mjaftuar që ai të kuptojë profilin e varfërisë së shqiptarëve". Sipas tij, shqiptarët sot janë të varfër sepse janë të papunë dhe se forcat aktive të punës prej vitesh nuk rriten. Ai ka akuzuar kryeministrin se po gënjen për rritjen e pensioneve. "Kryeministri gënjen për rritjen e pensioneve. Të ardhurat e pensionistëve të pleqërisë të qytetit janë rritur jo më shumë se 35 % që prej qershorit 2005". Beqaj premtoi edhe në herë angazhimin se në programin e saj të ri qeverisës të PS-së, shqiptarët do të gjejnë instrumentin për t'u ndarë një herë e mirë nga varfëria.