E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat greke konfirmojnë mbështetjen e ekonomisë

03/02/2009  Fullani takon guvernatorin Provopoulos

Bankat greke që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë konfirmojnë mbështetjen për ekonominë. Këtë konfirmim Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e ka marrë gjatë një takimi në fund të muajit janar, në Greqi me Guvernatorin e Bankës së Greqisë, George A. Provopoulos. Gjithashtu, dy guvernatorët takuan drejtorët ekzekutivë dhe përfaqësues të tjerë të bankave tregtare greke që operojnë në Shqipëri. Në këto takime u diskutuan çështje si perspektiva e zhvillimit të ekonomisë shqiptare, e cila u vlerësua si mjaft pozitive, në kontekstin e zhvillimeve të ekonomisë globale dhe të shumë vendeve të rajonit. “Sistemi bankar shqiptar paraqitet i shëndetshëm, në drejtim të treguesve të likuiditetit, të performancës financiare dhe të kapitalizimit. Sistemi bankar shqiptar gëzon të gjitha potencialet për të financuar rritjen e mëtejshme ekonomike të vendit. Stabiliteti makroekonomik i vendit dhe lehtësimi i kushteve monetare nga Banka e Shqipërisë janë një shtysë e mëtejshme në këtë drejtim”, - theksuan pjesëmarrësit. Përfaqësuesit e sistemit bankar grek, të cilët operojnë në Shqipëri konfirmuan interesin e tyre për zhvillimin afatgjatë të vendit, duke theksuar se kjo është në interes të përbashkët të të dy palëve. Sistemi bankar në Shqipëri përfaqësohet nga 16 banka të nivelit të dytë aktualisht, nga këto 4 janë filiale të bankave greke.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›