E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Hakmarrja", mbrojtja tregon provat kundër akuzës

23/04/2005  TIRANË – "Hakmarrja për Drejtësi" ka vazhduar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda me provat e mbrojtjes. Avokatët e dhjetë të pandehurve, të cilët kanë mbi shpinë krime të ndryshme, renditën njëri pas tjetrit provat me anë të të cilave do të kundërshtojnë akuzat. Avokatët thanë se janë të bindur që klientët e tyre janë të pafajshëm, e për këtë arsye ata do të sjellin para saj disa dëshmitarë. Kështu në listën e dëshmitarëve janë të renditur punonjës të arkave të kursimit, të cilat është fakt që janë grabitur. Një tjetër provë që mbrojtja mendon të paraqesë gjatë shqyrtimit gjyqësor, janë edhe aktet e ekspertimit të kryera në vendet e ngjarjes. Me pak fjalë, mbrojtja pretendon t'i kundërvihet akuzës me provat e saj. Avokatët u shprehën se janë të bindur që ngjarjet kanë ndodhur, por nuk mund të pranojnë që klientët e tyre të kenë gisht në to. Një pjesë e dëshmitarëve të akuzës do të shërbejnë në proces edhe për palën mbrojtëse. Krimet e Rënda dje saktësuan në dosje të gjitha provat që mbrojtja do të paraqesë për të vërtetuar të kundërtën e akuzës. Pasi renditën me radhë provat, avokatët u shprehën se rezervojnë të drejtën për të paraqitur gjatë seancave prova të reja, nëse do të kenë mundësinë për t'i zbuluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›