E Hënë, 2 Nëntor 2026

Xhafa zyrtarizon hapjen e burgut të Lezhës

23/04/2005  Saltzman: Gjendja ka qenë shqetësuese por sa vjen e përmirësohet

TIRANË – Punimet për burgun e ri të Shënkollit në Lezhë kanë përfunduar gati tre muaj më parë. Paralelisht me përfundimin e punimeve në këtë burg, u sistemuan një pjesë e të dënuarve dhe të paraburgosurve, kryesisht të Qarkut të Lezhës dhe Shkodrës, të cilët ishin vendosur nëpër rrethe. Por vetëm dje, me prerjen e shiritit të kuq nga ana e ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafa, mund të quhet fillimi zyrtar i punës në këtë institucion riedukimi. Bashkë me ministrin Xhafa në përurimin e burgut të ri të Lezhës ishin të pranishëm ambasadori i Komisionit Evropian, Lutz Saltzman, përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Engjëll Hysi. Për ministrin Xhafa, fillimi zyrtar i punës në këtë institucion ka disa veçori. Së pari, ai vuri në dukje faktin se për të ndërtuar këtë burg është dashur një kohë e gjatë, e si përfundim ndihma e Komisionit Evropian me fonde të posaçme. Së dyti, është burgu me kapacitetin më të madh në vend, gjë që do të ndikojë në zgjidhjen e problemit të mbipopullimit. Një tjetër pikë është edhe fakti se ky burg me kapacitet prej 850 vendesh, do të zgjidhë përfundimisht problemet e mbipopullimit për zonën veriore të vendit.

Historiku

Burgu i Lezhës ka funksionuar që nga viti 1980. Kapaciteti pas këtij viti ka qenë 400 vende. Por në disa raste numri i të dënuarve në këtë burg arriti deri në 600. Duhet theksuar se ka qenë një burg i sigurisë së zakonshme, por kushtet nuk ishin të nivelit të duhur. Pas viteve 1990, gjendja në këtë burg u rëndua shumë. Kështu gjithçka doli jashtë funksionit, duke kërkuar shumë investime. Fillimi i punimeve në vitin 1992 nuk arriti të vazhdonte pas vitit 1996. Gjithçka u paralizua për shkak të situatës së rëndë të krijuar në vend. Komisioni Evropian caktoi fonde të posaçme për përfundimin e ndërtimeve në këtë burg. Kapaciteti i këtij burgu është 850 vende. Aktualisht janë sistemuar 150 të dënuar dhe 120 të paraburgosur, të cilët kanë lehtësuar dhomat e paraburgimit të Qarkut të Lezhës dhe Shkodrës. Sipas Xhafës, po punohet për të kaluar në varësi të Ministrisë së Drejtësisë të gjithë sistemin e paraburgimit. Në këtë burg janë punësuar 530 punonjës me shkollë të lartë dhe të mesëme. Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, tha dje se pas burgut të Lezhës kanë filluar punimet për ndërtimin e burgut të Fushë-Krujës, me një fond prej 3.8 milionë euro. Ky burg do të ketë një kapacitet prej 350 vendesh. Është gati edhe fillimi i punimeve për burgun e Korçës, me një fond prej 4.4 milionë eurosh, për një kapacitet 350 vendesh. Ndërsa këto fonde janë dhënë nga Komisioni Evropian, qeveria shqiptare ka lëshuar një fond vetëm për të bërë rikonstruksionin e disa burgjeve, si atë të Vaqarrit, Burgu 302, Tepelenës dhe Burrelit. Ambasadori i Komisionit Evropian, Lutz Saltzman, tha dje se gjendja e burgjeve në Shqipëri ka qenë shqetësim i madh për një farë kohe për Komisionin Evropian. Më pas, ai u shpreh se ndihet i kënaqur që në Lezhë janë hapur vendet e reja, gjë që do të lehtësojë gjendjen në Qarkun e Lezhës dhe Shkodrës. Gjithashtu, ambasadori i KE-së tha se më në fund pas 10 vitesh punë me ndërprerje, ky burg arriti të përfundonte. Për Saltzman, mënyra e trajtimit të të dënuarve është problem që kërkon shumë punë. Për këtë, tha ambasadori i KE-së, duhen njerëz të kualifikuar dhe me përvojë në detyrë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›