Nano: PS ka zvendësuar parimet me paratë e korrupsioni politik
Autori i Lajmit: Red.Ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano vizitoi dje Vlorën në kuadër të turit të tij të takimeve me bazën socialiste nëpër të gjithë Shqipërinë. Duke bashkëbiseduar me socialistët vlonjatë Nano pohoi se lëvizja e tij synon të ndalojë tkurrjen dhe copëtimin e PS-së duke synuar ringritjen e saj dhe rikthimine vlerave që u kultivuan për vite me radhë. Sipas tij qeveria aktuale dhe kursi politik i opozitës së sotme, nuk përfaqësojnë dhe nuk realizojnë dot interesat popullore dhe sipërmarrëse të shqiptarëve për zhvillim dhe integrim në botën euroatlantike. Nano theksoi se ky mision historik mund të bëhet vetëm duke shëruar politikën nga konfliktet dhe korrupsioni që pengojnë reformat. Ai theksoi se i qëndron bindjes se pa një Parti Socialiste të hapur ndaj protagonistëve dhe ideve të standarteve bashkëkohore, Shqipëria nuk mund të bëjë përpara. “Cilësitë e virtutet politike që ne kultivuam së bashku në gjirin e partisë sonë dhe që e bënë atë anëtare të organizatës më të madhe politike botërore - Internacionales socialiste, sot po shpallen të ndaluara e të përjashtuara. Në vend të solidaritetit vlerësohet mercenarizmi dhe klientelizmi, parimet janë zëvendësuar me paratë e korrupsionit politik dhe liritë demokratike me leje ndërtimi e licenca për karrierë të pamerituar. Këtu duket të kërkohet dhe shkaku i humbjes së pesë testeve elektorale që ka pesuar PS dhe opozita në dy vjetet e fundit, tek kursi politik drejt mbytjes ku po e shpien anijen tonë të madhe “timonierët” e vjetër e të dështuar të polititikës së re”, - tha Nano. Sipas tij nuk mund të ketë kohëzion dhe sukses pa bashkim dhe konkurrim vlerash dhe kontributesh reformatore. Ai tha se kush këmbëngul të ndërtojë “projekte të reja politike” pa gjithë socialistët do të dështojë. Aish-kreu i PS-së u shpreh se “Sot, e njëjta racë e vjetër politike që ushqehet nga anarkia dhe konflikti, me sistemin e veseve abuzive të së cilës ne u ndeshëm në katarsisin e vitit 2001, na akuzon ne për “politikë te vjetër” dhe na përjashton nga projektet qesharake dhe inekzistente të “politikës së re”, sikur të ishim subjekte konkurrues në tenderin e ndonjë kanali që do hapë bashkia”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2007