E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në fund të vitit 2005 vendoset për Korridorin e Tetë

19/10/2004  Bashkimi Evropian ka vendosur dje të rishikojë dhe një herë mundësinë e financimit të Korridorit të Tetë. Në një mbledhje të Brukselit është vendosur të ngrihen 5 grupe pune, të cilët do të vlerësojnë se cilët do të jenë projektet që do të financohen me prioritet nga Bashkimi Evropian në vitin 2005. Sipas këtij vendimi një nga komisionet e Bashkimit Evropian do të shikojë dhe projektet që do të paraqiten nga qeveritë e rajonit të Ballkanit për Korridorin e Tetë. Për këtë çështje pritet të zhvillohen 5 takime, në të cilët dhe qeveria shqiptare do të paraqesë ecurinë e deritanishme të financimit për këtë korridor, të cilësuar tepër të rëndësishëm për marrëdhëniet në rajonin tonë. Ndërkohë vetëm në fund të vitit 2005 do të paraqiten konkluzionet nëse Bashkimi Evropian do të financojë ose jo këtë projekt. Sipas rregullores, qeveritë nga ku kalon një korridor panevropian duhet të garantojnë financimin minimalisht të 30 për qind të projektit. Në këtë debat është përfshirë dhe Italia, e cila kërkon me ngulm financimin e Korridorit të Tetë. Por vetëm një vit më parë, Bashkimi Evropian ka vendosur të përjashtojë nga prioritetet e tij Korridorin e Tetë, duke financuar Korridorin e Dhjetë. Ky i fundit niset prej portit të Greqisë dhe kalon për në Maqedoni e më pas në Bullgari. Një veprim i tillë mënjanon totalisht Shqipërinë. Sipas këtij vendimi, vetëm në vitin 2020, Bashkimi Evropian mund të financojë këtë projekt. Por duket se është angazhimi i diplomacisë së vendeve nga ku kalon ky korridor, që ka sjellë dhe rishikimin e vendimit. Gjithsesi për një vit me radhë, ekspertët e Bashkimit Evropian do të shohin angazhimin e qeverive për financimin e këtij projekti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›