E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano blen dy shtëpi në Durrës dhe tokë në Shkodër

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar kursime nga paga në gjendje llogarie në shumën 40.938 lekë dhe shtesë llogarie në bankë nga çmime dhe honorare në shumën 2937 euro. Rama në formularin e deklarimit thotë se ka të ardhurat nga paga vjetore dhe shpërblimet në shumën 1.850.807 lekë. Kryebashkiaku i Tiranës ka shlyer shumën prej 207.173 lekësh si detyrim për likuidimin e kredisë, teksa i mbeten edhe 1.207.859 lekë. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka shtuar gjendjen e një llogarie bankare me 43.256 lekë, teksa ka gjendje në një llogari 4807 USD. Të ardhurat e Metës nga puna si deputet janë 2.777.566 lekë, ndërsa të ardhurat e bashkëshortes si ish-deputete dhe këshilltare bashkiake e Tiranës janë 1.038.354 lekë. Meta ka paguar shumën 22.000 USD për të shlyer kredinë e blerjes së apartamentit të banimit në Durrës. Bashkëshortja e tij ka një kontratë sipërmarrjeje mbi truallin e deklaruar më parë, mbrapa Doganës së Tiranës, nga e cila përfiton 35% të sipërfaqes së ndërtimit. Kryemadhi ka shtuar edhe në një llogari bankare me shumën prej 40.000 lekësh. Ajo ka edhe një kredi në formën e overdraftit, për garanci nga ana e saj dhe e përdorur nga Drini Kryemadhi në shumën 20.321 euro. Ish-kryeministri Fatos Nano ka deklaruar shtesë në një llogari bankare në shumën 64.896 lekë, një pakësim llogarie tjetër me 59.958 euro. Nano ka deklaruar kontratë sipërmarrjeje për blerjen e dy apartamentesh banimi me sipërfaqe 210 metra katrorë dhe 166 metra katrorë në Durrës, ndërsa shuma e tyre shkon 176.7290 euro. Nano ka hapur një llogari të re në Bankën Amerikane, ku ndodhen 24.884 euro. Në faqen e të ardhurave, ish-kryeministri ka deklaruar pagën në shumën 2.277.702 lekë. Ai ka marrë edhe 134.000 euro si dëmshpërblim nga revista italiane "L‘unita", pas fitimit të gjyqit. Interesat e përftuara nga depozitat janë në shumën 4266 euro. Bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, ka deklaruar pakësim llogarie me 250.286 euro, ndërsa ka shënuar kontratë sipërmarrjeje për blerjen e njësisë me sipërfaqe 313 metra katrorë truall në Shkodër me vlerën 266.050 euro. Interesat e saj nga depozitat janë deklaruar në shumën 10040 euro. Djali i ish-kryeministrit Fatos Nano deklaron pasurinë gjithashtu dhe thotë se ka një apartament 134 metra katrorë, që është dhuratë nga nëna dhe babai. Sokol Nano thotë se ka një kontratë sipërmarrjeje me "Sheron sh.p.k." për blerje apartamenti me vlerën 120.000 euro. Si burim i parave paraqitet paga në "Vodafon" dhe konsulenca të ndryshme. Nga të ardhurat prej emigracionit, Sokoli thotë se ka blerë edhe një apartament banimi në Qerret të Kavajës në shumën 2.050.000 lekë, në vitin 2005. Sokoli është gjithashtu ortak i vetëm i aksioneve të "Lollipop promocion", me vlerën 100 lekë. Ai është gjithashtu aksioner në masën 20% i "Llotomania" në shumën 400.000 lekë. Për sa u takon llogarive rrjedhëse, ai ka 1398.66 euro në një të tillë, te tjera ka -503.61 lekë dhe tek e treta ka 68.00 euro. Sokoli ka deklaruar edhe një kontratë huadhënie në shumën 100.000 euro dhe si burim ka të ardhurat nga emigracioni, puna në "Vodafone" etj. Ai ka deklaruar se të ardhurat në total nga emigracioni, puna në vite në "Vodafon" dhe konsulenca të ndryshme ligjore shkojnë në 272.000 euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›