E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano ik!

Share

Nga Bledi Mane- Public Enemy

facebook.com/bledi.mane

 

1./Gëzuar vitin e ri 1991

U rikthye sërish. Fundjavën që shkoi shkëlqeu porsi një yll Bollywood-i. Bëri që pas një letargjie të gjatë media, politika, diplomacia ndërkombëtare dhe opinioni publik të merren me të.

Me votë të ndershme e përcollëm me ceremoni dhe transparencë maksimale në korrik të 2005, por pas tentativave të dështuara që nga 2007-a, rikthimi i tij kësaj here po ia arrin pakëz qëllimit. Prozhektorët tashmë janë ndezur për Fatos Nanon, por sipari ende nuk është hapur i plotë.

Pavarësisht entuziazmit dhe kapriçove të këtij kandidimi fillestar, kam frikë se tragjikomedia që u luajt me zgjedhjet presidenciale në Prishtinën e 2011 do interpretohet edhe në skenën e Tiranës.

U kujtohet ambasadori amerikan Dell, i cili kapi prej veshi liderët kosovarë e me detyrim-përcaktim-imponim ua la mbi tavolinë emrin e Atifetes?

Ja, kështu besoj unë se do të rrjedhin ujërat edhe korrikun e nxehtë që po vjen këtu në Shqipëri.

Joshja fillestare dhe elozhet për Fatos Nanon mbeten butafori demode dhe ma do mendja sa të përgatitet terreni do të zhurmohen bezdisshëm emrat e dy Fatosëve: Nanos së Ilir Metës dhe Bejës së Doktorit.

***

Riciklimi i Fatos Nanos mbetet shumë ofendues.

Të rikthesh në “prime time” të politikës kombëtare njërin prej dy eminentëve të tranzicionit rraskapitës do të thotë që ky vend ose vuan për elita sepse nuk është investuar intelektualisht këto dy dekada ose me të vërtetë kemi instaluar një regjim hibrid të një dual-diktature.

Thjesht le të mbyllim sytë dhe të retrospektojmë pa fantazi. Ende në qarkullim do të kemi dy njerëzit që dominuan e dominojnë pluralizmin partiak, parlamentarizmin, qeverisjet, shërbimet sekrete, gjyqësorin, financat, ushtrinë dhe rendin.

Kemi dy prej plakushëve më jetëgjatë të politikës ballkanase të cilët tashmë në pellgun e Mesdheut konkurrojnë vetëm me Assadin e Damaskut dhe Muhamedin e VI-të të Rabatit.

Fatos Nano ndryshe nga Sali Berisha ka më tepër vlera qytetarie, por ky nuk mund të përdoret detyrimisht si justifikim historik.

I lindur dhe i rritur në Tiranën bolshevike në një familje zgjatim të pushtetit, nuk vuajti kurrë as për dashuri prindërore e as për ushqimet bazike. Maria, nëna e Nanos, një mësuese anglishteje e formuar në shkollën amerikane të Kavajës kurrsesi nuk mund ta edukonte të birin e vetëm porsi Sheqerja Sali Berishën, e cila më tepër përkëdhelte lopën sesa djalin e saj hundëshqiponjë plangprishës që prishi nga mendja një vend të tërë.

Thanas Nano, eksponent i diktaturës dhe drejtues i televizionit kombëtar, natyrisht nuk mund t’ia lejonte vetes ndërsa vendit ti linte dhuratë një djalë politikan të papërgjegjshëm.

Ramë Berisha i Viçidolit fëmijët nga dhitë nuk i ndante asnjëherë madje edhe kur i ushqente me bar të thatë bjeshkësh. Berishën 18 vjeçar e zbriti Partia nga maja e malit në mes të metropolit dhe defiçencat gjenetiko-etnografike nuk duhet të triumfonin mbi moralin apo njerzillëkun e Tiranës së djeshme dhe të sotme.

Fatos Nanos nuk ia heq askush ato pak vlera dhe vese të sforcuara që ia ka injektuar vetes. Është i lexuar e i mirëedukuar, por këto nuk e konvertojnë në një djalë garip. Vuan ende simptomat e një djali qullac, babi i të cilit nuk e linte të përzihej me rrugaçët e lagjes. Shalët e ngjitura ia tradhtojnë fasadën e një “horri” dhe burgosja 4 vjeçare që i bëri Berisha e shfaqën më së mirë si një dhjaks të vërtetë. Nuk diti të hakmerrej ndaj akuzuesit dhe kundërshtarit të tij jo sepse kemi të bëjmë me një liberal dhe të krishterë puritan, por sepse nuk pati bythë ta çonte edhe sikur 24 orë të vetme Berishën në qeli. Faktet dhe provat nuk i munguan kurrë edhe pas 1997-s edhe gjatë tetorit të 1998-s, por Berisha me ushtrinë e Shaban Memisë dhe statura e Azem Hajdarit ia kallën&kallin datën Fatosit dhe fatosëve që ka ende e majta nëpër këmbë.

Gjatë qeverisjes së tij 2004-2005 korrupsioni galopant u kthye edhe në një makth ndërkombëtar aq sa edhe diplomacia në Bruksel dhe Washington ndihmuan në rrënimin e qeverisjes Nano, ndërsa sot si për çudi na pikturojnë një tjetër Nano plot ngjyra, ekuilibra, një tjetër burrështetas.

Një Fatos Nano president republike do të thotë një shpartallim të asaj klase të re politikanësh, e cila herë e arsimuar dhe edukuar në perëndim me paratë e taksapaguesve vendas, e herë atyre të huaj dilte përfundimisht jashtë loje. Jashtë loje dalin edhe gjeneratat e reja të aspirantëve energjikë që ky vend pret ti testojë në ekonomi, jurisprudencë, biznes sepse duke parë të njëjtët liderë të udhëheqin, tremben edhe nga rrethi i miqve të tyre historikë.

Një Fatos Nano liberal, qytetar dhe fisnik është ai burrë gjigand, i cili tashmë vrojton politikën dhe vendin nga karrigia e profesionistit pensionist. Një Nano babaxhan nuk është vetëm ai që dehet dhe këput batuta me sponde sa tek Blendi sa tek Sokoli. Nuk është ai Nano që i lëpihet Metës, Ramës, Berishës për vendin vakant në presidencë por ai burrështeti që ua tërheq veshin publikisht (jo tek Piazza) sivëllezërve të tij sa herë që Shqipëria digjet, përmbytet, vidhet, gërdecoset, çintegrohet.

Një Nano president dhe aktiv në politikë do të hapte orekse të tjera për Berishën dhe përsëri Arben Ristani dhe Sashenka e Kolegjit do të na bënte gjëmën me vjedhje votash me procedurë. Një Nano president dhe kryetar KLD-je thjesht do të rudimentonte drejtësinë klanore tribale të këtij vendi dhe rikthimi i një prej baballarëve të korrupsionit në krye të drejtësisë domestike do të bënte që kodoshët gjykatës të ndjeheshin të çliruar përfundimisht.

Ndjehem i sigurtë se pavarësisht zërave të ngjirur spontanë, Brukseli dhe Washingtoni nuk shohin te Fatos Nano presidentin e urtë konsensual dhe mbi palët. Thjesht mua më duket lojë, lojë në fitim të kohës së humbur. Lojë porsi elozhet e post 21 janarit derisa përgjigja nuk vonoi dhe FBI-ja shpartalloi me fakte e prova vrasësit.

Ka kohë deri në korrik dhe lëreni Fatos Nano Nanon të gëzojë. Ne e kemi parë shpesh këtë reality show dhe nuk ndjejmë më asnjë grimë emocion. Është porsi të fusësh Noçen edhe një herë në Big Brother, do të ndjehej ndokush kureshtar???

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›