Bode: Ka rënë zhvillimi ekonomik, por sjemi në krizë. Prioritet kemi uljen e borxhit në 55 përqind
Ministri i Financave komentoi edhe çështjen e interkonjeksionit duke thënë se qeverisë iu bë presion që të fitonte një kompani me koston më të lartë
Duke folur nga Uashingtoni, ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se në vend kanë rënë ritmet e zhvillimit, por vendi nuk është në krizë.
Janë zvogëluar ritmet e zhvillimit të vendit, edhe pse Shqipëria nuk u përfshi në mënyrë direkte nga kriza financiare, ka deklaruar Bode për Zërin e Amerikës.
Presioni i krizës globale dhe zgjatja e saj kanë një impakt të padiskutueshëm në ekonomitë e vendeve periferike, ku përfshihet edhe Shqipëria. Bankat perëndimore operojnë në të gjithë hapësirën e vendeve të Europës Lindore. Me uljen e nivelit të kreditimit të këtyre bankave, në përpjekje për të rregulluar raportet e tyre të kërkuara nga Banka Qëndrore, sigurisht që po ndikon edhe në ekonominë e vendit tonë, u shpreh ministri Bode.
Kreu i Financave deklaroi se borxhi publik në Shqipëri është relativisht më i lartë se vendet e tjera të rajonit, në shifrat 58.7%.
Ulja e borxhit publik është një ndër prioritet e qeverisë shqiptare. Sipas tij brenda vitit 2015 qeveria synon që ta çojë borxhin publik deri nën 55%.
Qeveria po bën përpjekje për të reduktuar nivelin e borxhit. Kriza ekonomike globale çoi në një rritje të borxhit për shkak të raportit të kursit të këmbimit midis lekut dhe euros. Duke qenë se borxhin e kemi në euro, sigurisht që raporti bën që ne të kemi një borxh më të lartë, theksoi Bode.
I pyetur në lidhje me akuzat e përhapura në media për afera korruptive në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, Bode deklaroi se sulmet lidhen me grupe të interesuara që synojnë ti bëjnë presion qeverisë.
Ministria e Financave ka nënshkruar një kredi me Bankën Gjermane KFË, që përmban në vetvete ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën dhe unazës së pjesës jugore të vendit. Po bëhen përpjekje për të shpallur fituese një kompani që kishte kosto më të lartë se kompania rivale. I jam adresuar Bankës Gjermane që të marrë në konsideratë rregullin që kostoja më e ulët të ketë preferencë.- theksoi Bode.