E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano merr mesazhe prej Papës dhe homologët e tij

29/05/2005  Kryeministri Fatos Nano ka marrë një mesazh nga Shenjteria e Tij, Papa Benedikti XIV, ku shprehen falenderimet për urimin që Kryeministri Nano ka shprehur në emër të popullit dhe qeverisë shqiptare me rastin e zgjedhjes së Tij Papë. Në këtë mesazh thuhet:

“Përcjell falenderimet për këtë mesazh të ndjerë dhe me këtë rast dëshiroj t’ju shpreh Juve dhe të gjithë atyre që u bashkuan në këtë gjest të vyer, bekimin Tim”, thuhet në këtë mesazh. Gjithashtu kryeministri Fatos Nano ka marrë ditët e fundit mesazhe nga homologë të tij dhe personalitete nga vende të ndryshme, për të marrë pjesë në veprimtari ndërkombëtare në muajt korrik-tetor 2005. Kancelari i Austrisë, Volfgang Schussel, ka ftuar Nanon për të marrë pjesë në takimin e kryetarëve të qeverive në Forumin Ekonomik të Salcburgut, në muajin gusht të këtij viti. Po kështu, me ftesë të Kryeministrit të Maqedonisë, Vlado Buçkovski, për Nanon është programuar një takim i dy autoriteteve në Ohër, më 12 korrik. Kryeministri Nano është ftuar gjithashtu në Konferencën Ndërkombëtare për Investimet në Evropën Juglindore të kryetarëve të Qeverive të Evropës, që do të mbahet më 25 tetor të këtij viti, në Dubrovnik të Kroacisë. Po ashtu ish-Presidenti polak, Lech Valesa, e fton Kryeministrin Nano në ceremoninë e përkujtimit të 25 vjetorit të Lëvizjes Sindikaliste "Solidarnost", që do të mbahet në Gdansk, më 31 gusht, po të këtij viti. Këto veprimtari konsiderohen si forume mjaft të vlefshme për promovimin e Shqipërisë në vendet e BE dhe rolit të saj rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›