E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bizhga kërcënon Gjermenin

29/05/2005  Ende pa filluar zyrtarisht hapja e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të korrikut, në Durrës, është regjistruar incidenti i parë mes kampit të majtë. Dje, në mbrëmje, në një konferencë për shtyp kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ligor Petro dhe kandidati i kësaj partie, në zonën nr.28, Leonidha Gjermeni, kanë akuzuar deputetin Bizhga, për presion dhe kërcënim ndaj shtabit të tyre elektoral. Sipas Gjermenit, Bizhga ka vënë në përdorim strukturat e policisë ndërtimore për të ushtruar presion ndaj një shtetasi, i cili i kishte liruar njërin kat të banesës së tij, kundrejt qirasë, kandidatit të LSI, që do të konkurrojë përballë Bizhgës. Shtabi i Gjermenit është vendosur vetëm 50 m larg shtabit të Bizhgës në lagjen nr.17, pranë Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimit dhe pas marrëveshjes me shtetasin Adem Barçi, LSI e ka vendosur në zyrën e shtabit flamuj, pankarta, postera elektorale dhe portrete të kandidatit, si brenda edhe jashtë godinës. Në protestën e tyre, drejtuesit e LSI së Durrësit, kanë thënë se xhelozia e Bizhgës e ka shtyrë këtë të fundit të ushtrojë presion te policia ndërtimore e Durrësit. Nga ana tjetër, deputeti Gazmir Bizhga, i cili është edhe kryetar i PS Durrës, nuk ka pranuar të komentojë denoncimin publik të Gjermenit. “Nuk kam asgjë për të thënë, pasi Gjermeni është mësuar të akuzojë”, ka pohuar kandidati Bizhga.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›