Nanoistët, letër kongresit kundër Ramës
Një grup ish-funksionarësh të PS-së në kohën e Nanos, kërkojnë moskandidimin e Ramës për kryetar partie
TIRANË - Një grup ish-funksionarësh të Partisë Socialiste, të iniciuar nga Ben Blushi dhe Arben Malaj, kanë hartuar dje një letër të hapur, ku kërkojnë që Edi Rama të mos rikandidojë për postin e kryetarit të partisë.
Firmëtarët e kësaj letre janë njerëz, të cilët kryesisht kanë pasur poste drejtuese në kohën kur partia drejtohej nga Fatos Nano. Pjesa tjetër janë funksionarë të PS-së, të cilët nuk janë vendosur në listat e kandidatëve për deputetë ose kryetarë partish në qytete të vogla.
Në total janë 37 firmëtarë. Në listë bie në sy "rikthimi" i personazheve që, për mirë ose për keq, janë bërë të njohur në PS, si Bukurosh Stafa dhe Durim Hushi, dy nga deputetët që tradhtuan grupin parlamentar socialist dhe bashkuan votën me Berishën për të zgjedhur Presidentin apo ish-ministrat e Nanos, Agron Duka dhe Zef Preçi. Kryesisht, kjo letër është nënshkruar nga personazhe që kanë qenë deputetë në periudhën 1997-2001.
" Duke ndjekur në vijimësi dhe analizuar me shqetësim: Zhvillimet e brendshme politike dhe organizative në Partinë Socialiste pas zgjedhjeve parlamentare; procedurat përmes të cilave PS-ja inicioi dhe realizoi në bashkëpunim me PD-në, ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor; dështimin e përsëritur të PS-së në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, vlerësojmë se: Vazhdimi i drejtimit të PS-së nga ana e Ramës mund të çojë në eksperimente të tjera të dhimbshme për popullin e majtë, në dështime politike të njëpasnjëshme dhe në humbje të reja elektorale",- thuhet në letër. Sipas saj, humbja e 28 qershorit u shkaktua si pasojë e strategjisë së kryetarit, si dhe mungesës së vizionit politik të tij në ndërtimin e aleancave zgjedhore.
"Shpërndarja e përgjegjësive tek parti të tjera, tek komisionerët socialistë etj., thjesht do ta shndërronte forumin më të lartë politik të PS-së në një mburojë fiktive të Ramës, për mbajtjen me çdo kusht të uzurpuar prej tij të postit të kryetarit të PS-së, do të sillte rrënimin e mëtejshëm të kësaj force politike dhe zhytjen e saj në një krizë ideore, organizative, strukturore me pasoja të rënda dhe afatgjata",- thuhet në letër.
Me pretekstin e përmirësimit të jetës në PS dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, 37 anëtarët kërkojnë që kongresi, si forumi më i lartë politik vendimmarrës i PS-së, të ushtrojë përgjegjësitë e veta statutore, përfaqësuese dhe politike në interes të së ardhmes së kësaj partie.
"Kërkojmë zbatimin rigoroz dhe pa kushte të statutit të PS-së që parashikon ndërprerjen automatikisht të mandatit të kryetarit në detyrë dhe mosrikandidimin e tij; hapja e garës për zgjedhjen e kryetarit të ri sipas përcaktimeve statutore të paraprihet nga analizat përkatëse politike dhe organizative në të gjitha nivelet elektorale të PS-së dhe në forumet drejtuese të saj",- thuhet në letër.