E Diel, 1 Nëntor 2026

I paraburgosuri: Doktori në burg na kërkon para

Denoncimi/ Bajram Mustafa denoncon se mjeku i ka kërkuar që ta paguajë në mënyrë që ta mjekojë në burg


LEZHË - "Doktori kur më takoi ditën e parë më tha se kërkonte 100 mijë lekë si parapagim në dorë dhe çdo muaj nga 50 mijë lekë për të marrë insulinën, të cilën unë e kam shumë të nevojshme". Kjo është deklarata e dhënë për gazetën "Shekulli" nga Bajram Mustafa, i paraburgosur në burgun e Shënkollit.


Në fjalën e tij, 54-vjeçari rrëfen se prej dy javësh ndodhet në burgun e Shënkollit dhe që prej asaj kohe nuk ka marrë insulinën që është e nevojshme për të për shkak të sëmundjes që ka.


"Unë jam nga Tropoja dhe jam i paraburgosur në burgun e Shënkollit. Vuaj nga diabeti i shkallës së parë, diabeti i rëndë, si dhe kam sëmundje të bllokimit të venave të gjakut e si rrjedhojë i kam me vena plastike.


Prej dy javësh ndodhem në këtë institucion, por deri më dje askush nuk më ka sjellë as insulinat, madje as ushqimin që duhet të marr. Për shkak të sëmundjes unë nuk mund të marr të njëjtin ushqim si të tjerët, pasi duhet të mbaj dietë",- thotë Bajram Mustafa.


54-vjeçari shprehet se në momentin e mbërritjes në burgun e Shënkollit ai ka takuar edhe doktorin, por ky i fundit i është shprehur se për ta mjekuar duhet t'i jepte 100 mijë lekë (të vjetra) si parapagim në dorë dhe për çdo muaj duhet të paguante nga 50 mijë lekë.


"Unë edhe jashtë burgut i kam marrë ilaçet pa lekë nga shteti. Nuk e kuptoj se pse duhet të paguaj tani. Doktori herë vjen dhe herë nuk vjen dhe unë jam 54 vjeç e nuk e përballoj dot këtë sëmundje pa ilaçe.


Kam dy javë pa insulinë dhe nuk di më ku të drejtohem",- rrëfen Mustafa. Më tej i paraburgosuri thotë se ka dashur t'i drejtohet drejtorit të institucionit për problemin që ai ka.


"Por drejtori i burgut është me pushime dhe, ndoshta, kur të vijë ai gjërat mund të përmirësohen. Ndërkohë njerëzit e mi kanë komunikuar me Ministrinë e Drejtësisë, si dhe me sekretaren e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Shpresoj që kjo e fundit të ketë vënë në dijeni drejtorin".


54-vjeçari thotë se ai nuk shikon zgjidhje tjetër dhe se druhet për shëndetin e vet. Ai thotë se nuk mund të shkojë tek mjeku pasi ai e ka kërcënuar. Mjeku, sipas të paraburgosurit, vjen kur dëshiron dhe nuk përkujdeset për të. "Doktori më foli në mënyrë të keqe. Unë jam i sëmurë.


Diabeti më shkon 600-700. Shteti nuk ka interes për ne, vetëm policët që na hapin e mbyllin derën sillen mirë me ne". Bajram Mustafa pohon se kërkon vetëm që të trajtohet rregullisht për sëmundjen që ai ka. "Unë kam bllokim të venave të gjakut. Kam kaluar një herë infarkt dhe nuk kam shëndet të mirë", -thotë ai.


Më pas 54-vjeçari pohon se ka dashur që t'i dërgojë një denoncim edhe Kryeministrit, në mënyrë që të trajtohet njerëzisht. Ai tregon se është i arrestuar prej një muaji e gjysmë, ndërsa akuzohet për "prodhim e mbajtje të lëndëve narkotike".


Të burgosurit shpesh janë ankuar për trajtimin jo të mirë që u bëhen në burgje, megjithatë jo rrallë ankesa të tilla kanë rënë në vesh të shurdhër. Ndërkohë, burime të brendshme bëjnë të ditur se në burgun e Shënkollit ka mbërritur edhe një prokuror për t'u marrë me çështjen.


Reagimi i doktorit: Akuzat janë trillime


Fatos Frangu, doktor ne burgun e Shënkollit, thotë se deklaratat e të paraburgosurit Bajram Mustafa nuk janë të vërteta.


"Ai gjithçka e bën për të qenë në qendër të vëmendjes, ndaj ka shkruar gjithandej, - tha doktori. - Ai është vërtet i sëmurë diabetik, dhe ne e mbajmë nën kurim me ilaçet e minispitalit të burgut.


Ky është një person i ardhur disa herë në këtë burg dhe ne e njohim mirë, - thotë më tej mjeku Frangu, - ia njohim sëmundjen dhe problemet e vërteta shëndetësore, ndaj dhe e mbajmë nën observacion të vazhdueshëm mjekësor.


Por ai e ka refuzuar shërbimin që i bëjmë jo pak herë, gjë që herën e fundit ka ndodhur para 4 ditësh kur na ka lënë në tavolinë insulinat dhe për këtë kemi marrë dhe deklaratën e tij që nuk donte t'i përdorte.


Ky nuk është rasti i parë i simulimit, lë të nënkuptohet mjeku Frangu, pasi kur erdhi herën e parë në burg mbante paterica, por sapo doli nuk i mbajti më ato, dhe këtë herë erdhi pa to.


Për neglizhencën tonë ai nuk ka pasur asnjë komplikacion, ndaj shërbimin ia kemi bërë shumë korrekt konform rregullores",- përmbyll deklarimin e tij mjeku i këtij burgu, i cili i quan trillime thëniet e të paraburgosurit për ryshfet në këmbim të mjekimit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›