E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argita Malltezi: Sfidoj mashtruesit, të nxjerrin prova

Debati publik dhe politik i hapur për biznesmenin Damir Fazlliç ka përfshirë më në fund dhe vajzën e Kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi (Berisha), e cila për hir të së vërtetës, është përmendur shpeshherë nga media pranë opozitës në këtë çështje. Më saktë, ajo akuzohet se ka vënë në shërbim të biznesmenit boshnjak studion e saj ligjore. Në një deklaratë për shtyp, Argita Malltezi hedh poshtë çdo insinuatë që studioja ligjore e drejtuar prej saj të ketë dhënë ndihmë ligjore ndaj këtij personi në mënyrë që ai të përfitojë nga fondet publike. Malltezi bën të qartë dhe një herë për publikun se pikërisht për shkak të lidhjes së saj familjare ajo nuk jep ndihmë ligjore në studion e saj për ata biznesmenë që përfitojnë nga fondet publike të shtetit. Ndërkaq, sqaron konkretisht për çështjen e blerjes së tokës në Porto Romano nga ana e Fazlliçit se nuk ka fare lidhje me këtë veprim të biznesit të tij. “Nuk kam qenë anëtare e asnjë bordi, komisioni apo grupi të çfarëdo lloji që është marrë me procesin ligjor apo çdo lloj procesi të ngjashëm që lidhet me parkun energjitik të Porto Romanos”. Në këtë pikë ajo shfajëson dhe ish-ortaken e saj në studion ligjore, emri i së cilës është përfolur pikërisht për përfshirjen në aktin e shitjes së njërës prej kompanive të Fazlliçit. Malltezi shprehet se “në dijeninë time ky fakt vlen dhe për avokaten Flutura Kola”. Në këtë pikë ajo kërkon nga ata që e akuzojnë që të nxjerrin prova për akuzat e tyre. “Sfidoj mashtruesit të cilët pretenduan se disponojnë prova për pjesëmarrjen time në këtë proces që t’i bëjnë ato publike”, - shprehet vajza e Kryeministrit e cila jo pak herë ka qenë objekt sulmesh nga opozita dhe media pranë saj që pas rikthimit në Shqipëri nga puna në Kosovë pranë zyrave të OKB-së. Por megjithëse është shqetësuar nga përmendja e emrit të saj për aq shumë kohë duket se Argita Malltezi shpreson se një ditë akuzat do të reshtin pasi e vërteta do të dalë në diell. “Pas çdo stuhie vjen kohë e mirë dhe në dritën e diellit nuk mund të fshihet as e vërteta e as mashtrimi”, - shkruan ajo në fund të deklaratës së saj.

Deklarata e plotë e Argita Malltezit

“Ditët e fundit kanë qenë të ngarkuara me trillimin e radhës së skalioneve të radhitura pas interesave të prishura ekonomike dhe politike mbi tullumbacen që kësaj here është bërë e njohur për publikun si çështja “Fazlliç”. Dëshiroj të sqaroj publikun për ato që unë i konsideroj momentet më të rëndësishme në lidhje me aktivitetin tim: Për shkak të pozicionit tim dhe të familjes sime, në asnjë rast nuk kam përfaqësuar dhe nuk mbështes me shërbime ligjore ato aktivitete që bazohen mbi prokurimet (pra fonde) publike apo mbi asete shtetërore. Në këtë kontekst, shërbimet e kryera nga studioja ime për z. Fazlliç nuk kanë të bëjnë me sektorin publik. Nuk kam qenë anëtare e asnjë bordi, komisioni apo grupi të çfarëdo lloji që është marrë me procesin ligjor apo çdo lloj procesi të ngjashëm që lidhet me parkun energjitik të Porto Romanos. Në dijeninë time ky fakt vlen dhe për avokaten Flutura Kola. Sfidoj mashtruesit të çilet pretenduan se disponojnë prova për pjesëmarrjen time në këtë proces që t’i bëjnë ato publike. E gjithë tymnaja e kësaj çështjeje ka si bazë të vetme mashtrimin e nxitur për interesa të pandershme politike dhe ekonomike. Shpreh bindjen se shumë shpejt të gjitha këto interesa do të zbardhen për publikun duke lënë lakuriq në imoralitetin e tyre fabrikuesit e shpifjeve. Individët dhe grupet që kanë si bukë të përditshme mashtrimet, mbrohen nga fakti që unë, për një kod moral të familjes sime, nuk i drejtohem gjykatës. Dua t’u kujtoj atyre, se pavarësisht nga kjo, të gjitha mashtrimet e hedhura deri më sot në adresën time për konsum politik janë sfumuar për arsyen e vetme se asnjëra prej tyre nuk e ka kaluar dot testin e së vërtetës. Çdo detaj i aktivitetit tim profesional është tërësisht konform rregullave dhe ligjeve në fuqi. Pas çdo stuhie vjen kohë e mirë dhe në dritën e diellit nuk mund të fshihet as e vërteta e as mashtrimi”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›