E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbledh aleatët: Opozita me një program të përbashkët‏

TIRANË- Qëndrim të përbashkët të opozitës sa i takon koordinimit e organizimit të punës për zgjedhjet e ardhshme dhe hartimi i një programi të përbashkët opozitar.

Me këtë përfundim është mbyllur tryeza e Kryetarit të PS Edi Rama me kryetarët e partive të vogla të koalicionit opozitar. Në këtë takim i cili u zhvillua në selinë rozë u përsërit edhe qëndrimi konstant i Partisë Socialiste sa i takon reformës zgjedhore.

Mbledhja e Kryetarit Rama me kryetarët e partive të vogla aleate të Partisë Socialiste ka zgjatur më shumë se një orë.

Prezent në këtë takim ishte dhe Sekretari i PS për koalicionin Ndre Legisi.Pjesë e takimit ishin aleatët që kanë marrë 0,5% të votave në zgjedhjet e fundit lokale . Në përfundim të takimit kreu i G 99, Ervin Mete tha për mediat se pjesë e diskutimeve ka qenë reforma zgjedhore, por edhe rakordimi i një programi të përbashkët politik.

Mete tha se reforma zgjedhore do jetë gjithëpërfshirëse dhe jo në dëm të aleatëve.
"Nuk ishte takim ngushtësisht vetëm për çështjen e reformës zgjedhore. Ishte një takim me partitë aleate për të konsoliduar më tej bashkëpunimin, për të diskutuar për strategjinë për zgjedhjet e ardhshme. Ndër të tjera u diskutua edhe reforma zgjedhore, ku u shpreh edhe njëherë mbështetja e Partisë Socialiste për ta trajtuar reformën zgjedhore në një formë që i shërben edhe partive të koalicionit. U diskutua për një konsolidim të bashkëpunimit dhe të koordinimit, qoftë në aspektin organizativ, qoftë përsa i përket programit në mënyrë që të dilet me një program të përbashkët opozitar. Për konsolidimin e qëndrimit përsa i përket organizmit për zgjedhjet e ardhshme. Për reformën zgjedhore ajo që mund të thuhet është që Partia Socialiste mbron një formulë që nuk godet partitë e vogla",- theksoi kreu i G 99, Ervin Mete.
(el.me/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›