E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Blloqe banimi cilësore edhe në periferi

Hartimi i buxhetit 2009 me pjesëmarrje ka vënë përballë qytetarët e njësisë bashkiake numër 9 dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Gjatë prezantimit të buxhetit Rama theksoi se për këtë njësi dhe banorët e saj është parashikuar ndërhyrja në Bllokun 51, i cili kufizohet nga rrugët "Jordan Misja"-Unaza-"Don Bosko". Punimet e ndërhyrjes do të shtrihen në një sipërfaqe të bllokut prej rreth 35 hektarësh. Aktualisht, blloku është në kushtet e një infrastrukture të amortizuar. Ndaj, projekti i ndërhyrjes është kompleks dhe në të do të realizohen: punimet e infrastrukturës rrugore, por edhe rikualifikimi i hapësirës urbane (gjelbërim, terrene sportive, sheshe, kënde lojërash për fëmijë). Punimet rrugore do të përfshijnë rikualifikimin e rrjetit rrugor, me elementet e ndërhyrjes: sistemin ekzistues të largimit të ujërave; sistemin e furnizimit me ujë të zonës; sistemi i ndriçimit rrugor. E veçanta këtë vit është që ndërhyrjet në blloqet e banimit, tashmë janë bërë komplekse, ku përveçse në infrastrukturën rrugore të brendshme të bllokut, këtë vit do të ndërhyhet paralelisht edhe në sipërfaqen urbane, sheshe, gjelbërim etj. Ka një numër të konsiderueshëm lulishtesh, të cilat do të mbillen me bar, por edhe me pemë dhe shkurre dekorative, rreth 2500 m², si edhe kënde për fëmijë apo sportive.

Kryebashkiaku Rama tha se shumica e blloqeve të transformuara, janë në periferi, duke dhënë shpresë për një vizion integral të kryeqytetit, për një Tiranë që shkëlqen pa dyshim në qendrën e vet, por rrezaton në të gjitha periferitë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›