Plazhi i Divjakës pastrohet pas denoncimit nga "Fiksi"
Bashkia e Divjakës pastron plazhin nga mbeturinat. Pas denoncimit në "Fiks Fare", të gjitha plehrat e Divjakës që ishin groposur buzë detit, vetëm 20 metra larg bregut, janë zhvendosur prej aty për në vendin ku grumbullohen mbeturinat. Brenda disa vjetëve, i gjithë bregu i plazhit të Divjakës u kthye në një vend grumbullimi plehrash, por për tri javë gjithçka u pastrua. Tri javë më parë, kamera e "Fiks Fare" solli fakte nga shkatërrimi që po i bëhej bregdetit në zonën e Divjakës nga mbeturinat. Kudo shikoje pirgje të pafund mbeturinash. Në të gjithë brezin e rërës ishin hapur kanale, ku groposeshin plehrat. Pas denoncimit në "Fiks Fare", pushteti vendor mori masa dhe të gjitha këto kanale me mbeturina u pastruan dhe rëra u pastrua. Vetë drejtoresha e ndërmarrjes komunale të Divjakës, Violeta Gjeçi, pohon përpara kamerës së "Fiks Fare", se pas interesimit të gazetarëve "është sheshuar, pastruar gjithçka. Mbeturinat kanë shkuar në vendin e grumbullimit të plehrave". Tri javë më parë zonja Gjeçi pretendoi se zona e plazhit të Divjakës ishte e pastër dhe se kishte marrë të gjitha masat që zona e plazhit të jetë e pastruar. Ajo pretendonte se ndërmarrja që drejton i hidhte mbeturinat në vendin e caktuar dhe në asnjë mënyrë nuk i groposte buzë detit. Por kur shkoi në breg të detit së bashku me kamerën e "Fiks Fare" u bind se situata ishte krejt ndryshe. Atje premtoi se plehrat do të pastrohen shumë shpejt dhe brenda tri javëve plazhi i Divjakës u kthye në gjendjen e mëparshme.