Nata e Bardhë ndez kryeqytetin
Mijëra njerëz mbushin rrugët e Tiranës për të pestin vit me radhë duke ndezur zjarre e kënduar si partizanët
TIRANË- Nga perëndimi në agim, mijëra njerëz kanë vërshuar rrugëve të kryeqytetit duke ndezur zjarre të ndryshme dhe duke kënduar me të madhe. Zjarre si partizanët në kohën e luftës dhe këngë si “rokerët” e ditëve të fundit, por as kjo nuk ka mjaftuar. Skara me mish të tymosur dhe alkool. Tirana është në festë, është Nata e Bardhë. Gjithçka është organizuar nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit, i cili ka dalë edhe vetë në rrugë duke festuar së bashku me njerëzit për të pestin vit me radhë.
Muzika nga të gjitha anët dhe projektorët e koncerteve në qytetit ka bërë që të zhduket errësira. Kjo natë i ka pasur të gjitha elementët për të qenë festive deri në agim. Nën organizimin e Bashkisë së Kryeqytetit aktivitet dhe argëtimet kanë qenë të pranishme gjithë andej. Muzika e instaluar në çdo kryqëzim të ish- Bllokut ka mbajtur me orë të tëra të rinjtë duke shijuar nën grimcat e imta të shiut që nuk kanë munguar gjatë gjithë ditës së djeshme. Një koncert tjetër në sheshin “Nën Tereza” me përmasa më të mëdha i ka bërë jehonë qiellit pa yje të kësaj nate. E njëjta gjë është bërë dhe në pjesën tjetër, sheshi "Skëndërbej" ka jetuar gjallërinë më të madhe në Tiranë duke u ngjitur në skenë këngëtarët më në zë të momentin në Shqipëri. Vala e festimeve gjarpëronte gjithë andej, me zjarre të ndezur dhe me këngë partizane të kënduara nga vetë qytetarët. Por sa afroheshe pranë busteve të tre vëllezërve Frashëri, atmosfera ishte festive dhe tërësisht popullorë. Valltarët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ja morën shtruar për disa minuta me radhë kërcimeve si nga jugu ashtu edhe nga veriu. Klarineta dhe daullja, përkatësisht për secilën origjinë, shoqëronin “live” më së miri këta valltarë.
Bashkë me ta u bashkuan dhe qytetarë të shumtë, të cilët u entuziazmuan nga muzika popullore e trevave jugore të vendit tonë. Nga këto festime nuk janë përjashtuar as fëmijët të cilët të shoqëruar nga prindërit e tyre kanë parë dhe dëgjuar përrallat me personazhet më të dashur të tyre pranë lulishtes në qendër. Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" nuk ishte shkelur asnjëherë në atë orë të mbrëmjes nga aq shumë njerëz. Edhe pse një mbrëmje e lagësht, kjo nuk ka penguar që qytetarët të të gjitha moshave t’i bashkohen festimeve. Kështu 29 Nëntori i këtij viti është jetuar sipas ritmit të festimeve dhe mes adrenalinës së muzikës. Me PUB-et dhe lokalet të mbushura plot e përplot Tirana nuk ka rënë të flejë, duke mos u zgjuar si në një mëngjes të zakonshëm. Një nga anët më pozitive të këtyre festimeve është se njerëzit ishin të lirë të qarkullonin në rrugët e qytetit pasi ishte ndaluar qarkullimi i makinave që në orën 17:00 të pasdites.