Gjakoset derbi myzeqar, plagoset mbrojtësi Shoshi
FIER- Derbi myzeqar mes lushnjarëve dhe fierakëve, ashtu siç pritej nga të gjithë, ka dhuruar shumë spektakël, grintë, lojë të bukur, por edhe dhunë pa kufij. Tempi i lojës ka qenë i lartë gjatë gjithë takimit dhe skuadrat kanë dhënë me të vërtetë një futboll të bukur, i cili herë pas here ka pasur edhe momente tensioni midis futbollistëve. Të parët që shënojnë janë vendësit me anë të Gersi Arbrit, i cili shfrytëzon ngathtësinë e mbrojtjes mike dhe shënon, duke mposhtur Dinen. Në minutën e 23-të Asllani i vjedh një top mbrojtjes lushnjare dhe kroson në zonë, ku ndodhet Sreçkoviç. Ky i fundit nis një top rrafsh me tokën dhe arrin ta dërgojë në rrjetë, pa u prekur nga portieri. Barazojnë miqtë dhe festojnë. Të gjithë drejtohen në krahun e majtë të tribunës anësore për të festuar. Të gjithë ngjiten në rrethimin e hekurt të stadiumit në pjesën që ndan tifozerinë nga hyrja e fushës, aty ku ndodhet dhe porta për hyrjen e mjeteve të ambulancës dhe zjarrfikëses në stadium. Në momentin e festimeve, mbrojtësi i Apolonisë, Shoshi, goditet dhe shtrihet në tokë i gjakosur. Konfuzion për disa momente dhe kërkohet ambulanca, për ta nisur në spital. Tension në radhët e fierakëve, të cilët pretendojnë për goditje nga tifozëria vendëse. Fierakët protestojnë dhe për disa minuta nuk lejohen të hyjnë në fushë nga trajneri, por më pas vazhdojnë lojën.