Vlorë, zbulohen 183 kg hashash në banesë
VLORË- Rastësia ka bërë që policia e Vlorës të zbulojë një sasi prej 183 kilesh hashash, e cila ndodhej në një banesë. Një operacion i shtyrë më shumë nga kurioziteti ka bërë që uniformat blu të shkojnë në banesën e marrë me qira nga një person nga Delvina dhe të gjejnë lëndën narkotike. Policia ka kujtuar për një tentativë vetëvrasjeje dhe ka hyrë në banesë por më pas ka zbuluar çështjen e drogës.
Burimet zyrtare të policisë së Vlorës konfirmuan dje lajmin e gjetjes së lëndës narkotike në një prej pallateve të rinj në rrugën “Transballkanike”. Gjithçka është zbuluar rastësisht në orët e paradites. Efektivëve të grupit të gatshëm që kanë kaluar në lëvizjen e tyre të zakonshme përgjatë rrugës “Transballkanike”, u është tërhequr vëmendja nga një litar i gjatë që varej nga ballkoni i katit të pestë. Shiriti, i tipit që përdoret për lidhjen e ngarkesave në mjetet e rënda, ka bërë që makina e policisë të kthehej drejt pallatit që ndodhet pranë kryqëzimit që shpie tek plazhii vjetër, në rrugën “Transballkanike”. Duke menduar për ndonjë tentativë vetëvrasjeje, apo edhe vjedhjeje, efektivët kanë njoftuar sallën dhe specialistë të policisë kanë mbërritur pranë banesës. Ata kanë shqyer derën, pasi nuk ka pasur njeri në të dhe kanë parë se brenda apartamentit kishte një sasi të madhe hashashi. Gjithë sasia ishte e paketuar në qeska të tejdukshme, e sistemuar më pas në plastmas të mëdhenj si dhe çanta sportive. Bima ka qenë në bohçe, dhe paketimet e para, mendohen të kenë qenë në qeska gjysmë kilogramësh. Peshimi i mëtejshëm ka treguar se bëhet fjalë për 183 kilogramë hashash ende të papërpunuar. Ai mendohet se është korrur gjatë ditëve të fundit dhe ende nuk është bërë gati për shitje.
Në banesë më pas kanë ardhur ekspertët, të cilët kanë bërë gjithë matjet e duhura, në ndihmë të gjetjes së autorësisë. Mësohet që ngjarja tu ketë tërhequr vëmendjen edhe autoriteteve të policisë së Vlorës, të cilët janë para në orët e paradites në zonë. Pyetur te banorët e pallatit, banesa në fjalë, së fundmiishte marrë me qira nga një 27 vjeçar nga Delvina, i cili jetonte me një studente. Sipas dëshmive, një ditë më parë në banesë janë dëgjuar britma dhe fjalë, çka ka vënë në dyshime blutë, se brenda saj mund të ishte mbyllur forcërisht ndonjë person, për nga edhe gjurmët e litarit që kanë mbetur ditën e djeshme. Gjithsesi pista më e mundshme që po hetohet është ajo që litari të jetë përdorur edhe për të ngjitur në katin e pestë sasi hashashi, gjë e cila pritet të sqarohet në vijimësinë e hetimeve. Policia ka shoqëruar për ngjarjen dy persona, ndërsa po heton për zbardhjen e plotë.