E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, arrestohet vëllai i Dritan Dajtit

Sokol Dajti dhe katër persona të tjerë akuzohen për vjedhjen e një Benz Mercedesi në qytetin e Vlorës

Grabitësit i kapën në flagrancë teksa po shpinin makinën e vjedhur në kryeqytet

VLORË- Policia e Vlorës ka arrestuar në orët e para të ditës së djeshme vëllanë e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Sokol Dajti akuzohet nga policia lokale për organizimin e vjedhjes së një makine. Operacioni i koduar “Mercedesi” ka shpënë në pranga edhe katër persona të tjerë, të gjithë të akuzuar për të njëjtën çështje. Dajti pritet që të merret në pyetje edhe në lidhje me vëllanë e tij, i cili ka qenë protagonisti i arratisjes së bujshme të disa viteve më parë nga gjykata e Tiranës. Që nga ajo kohë Dritan Dajti është akuzuar edhe për disa vepra të tjera të rënda penale.

Burimet zyrtare të policisë dhe prokurorisë lokale pohuan dje se gjithçka ka nisur pak kohë më parë kur Sokol dajti ka porositur vjedhjen e një makine në qytetin e Vlorës. Kjo gjë është marrë përsipër nga Akil Mustafai, Ardir Rapaj dhe Alfred Mbole. Të tre këta janë banues të qytetit të Vlorës dhe brenda pak orësh kanë evidentuar një makinë që i përshtatej porosisë së ardhur nga kryeqyteti. Burimet e policisë pohuan se bëhet fjalë për makinën m targë “VL 0299B”, e cila është në pronësi të shtetasit P.K. Sipas policisë, grabitja është kryer në orët e para të mëngjesit dhe të tre personat janë nisur drejt Tiranës që të bënin dorëzimin e porosisë tek Sokol Dajti dhe Endrit Limaj. “Grabitja e makinës është denoncuar nga pronari i saj dhe brenda pak kohësh është bërë gjetja e saj në afërsi të Qafës së Koshovicës. Grabitësit kishin arritur që të shkonin deri në afërsi të Fierit, ku janë ndaluar nga një postbllok. Të arrestuarit janë Akil Mustafai 19- vjeç, Ardit Rapaj, 18 vjeç, dhe Alfred Mbole, 21 vjeç”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Vlorës. Sipas tyre, të tre këta persona dyshohet se kanë grabitur edhenjë makinë tjetër në qytetin e Vlorës. Pas verifikimeve kjo makinë është gjetur në shtëpinë e Endri Limajt në lagjen Selitë të kryeqytetit. Nga hetimet e para dyshohet se të dyja këto vjedhje janë porositur nga Limaj dhe Sokol Dajti. Për këtë arsye policia i ka hedhur prangat edhe këtyre dy personave.Hetimet e mëtejshme pritet që të zbulojnë nëse personat e arrestuar kanë kryer apo jo vjedhje të tjera në Vlorë apo qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›