Nata e ndërrimit të viteve, policia forcon masat
TIRANë- Festa e ndërrimit të viteve bëhet shpesh shkak për aksidente, grabitje të banesave dhe incidente të shumta. Për këtë arsye, Policia e kryeqytetit, me rastin e festave të fundvitit ka rritur masat e sigurisë për të parandaluar ngjarjet kriminale, përballimin e fluksit të emigrantëve, parandalimin e aksidenteve apo ngjarje të tjera që cënojnë rendin dhe qetësinë publike. Duke marrë shkas edhe nga aksidenti i mëngjesit të së dielës, kur për shkak të shpejtësisë jashtë normave dhe përdorimit të pijeve alkoolike, humbën jetën tre shtetas, masa të veçanta janë planifikuar natën e ndërrimit të viteve, kryesisht në drejtim të menaxhimit të trafikut rrugor. Kryekomisar Arben Nasufin, njëkohësisht asistent i drejtorit të Policisë së Qarkut të Tiranës, tha se gjatë të gjithë ditëve te festave do të ketë kontrolle të rrepta. Nasufi këshilloi të gjithë drejtuesit e automjeteve që natën e ndërrimit të viteve si dhe në ditët në vazhdim, të bëjnë kujdes në respektimin e kodit rrugor, sinjalistikës së nevojshme si dhe me përdorimin e pijeve alkoolike, në të kundërt të mos përdorin mjetin. Masa të veçanta, sipas tij, do të ketë edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve kriminale, për të cilën strukturat e rendit në kryeqytet, ato të hetimit të krimit si dhe gjithë strukturat e tjera operacionale kanë hartuar një plan masash. Sigurimi i rendit dhe qetësisë publike në sheshet kryesore, ku do të organizohen festime, gjithashtu do të jetë një ndër prioritetet e strukturave të policisë gjatë natës së ndërrimit të viteve. Sipas Nasufit, në bashkëpunim me strukturat e ruajtjes së sigurisë së institucioneve, objekteve të rëndësishme shtetërore, ambasadave, gjatë këtyre ditëve përparësi do të kenë edhe ruajtja e bankave të nivelit të dytë, nënstacionet elektrike, depot e ujit, duke përforcuar shërbimet në këtë drejtim, si dhe bashkëpunimin me organet e qeverisjes vendore për menaxhimin me sukses të festave . Ai vuri në dukje gjithashtu se në bashkëpunim me shërbimet e emergjencës, zjarrfikësit, ambulancat, është hartuar një plan masash për t'u gjendur në kohë për çdo të papritur të mundëshme. Një element tjetër ku do të përqëndrohet puna e strukturave të rendit do të jetë edhe parandalimi i përdorimit të fishekzjarreve që krijojnë probleme për sigurimë e shtetasve. "Policia e Tiranës do të ndëshkojë pa hezitim çdo kundravajtës që shkel rregullat e qarkullimit rrugor, ndërkohë që për çdo lloj konstatimi, shkeljeje në fushën e qarkullimit rrugor, sigurisë publike, parandalimit të krimit, policia e kryeqytetit ka vënë në dispozicion numrin e telefonit pa pagesë 126 dhe 129, ku çdo qytetar mund të telefonojë për çdo konstatim të një shkeljeje që ai e sheh të arsyeshme", bëri të ditur kryekomisar Nasufi. (d.b/BalkanWeb)