E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Këshilli Bashkiak, sot vendimi për reduktimin e taksave

SHKRUAN: Jonida Tashi 28-12-2011 12:26

Në mbledhjen e sotme do të shqyrtohen disa projekte të rëndësishme për kryeqytetin, si dhe buxheti i vitit 2012 për Tiranën

Këshilli Bashkiak i Tiranës do të organizojë sot mbledhjen e tij të fundit për vitin 2011, ku do të miratohen përveç projektbuxhetit të ri, edhe një sërë vendimesh të rëndësishme për kryeqytetin. Gjatë mbledhjes së sotme do të shqyrtohen shtatë projekte të reja të kryebashkiakut Lulzim Basha, që kanë të bëjnë me përpjekjet për të krijuar vende të reja pune, për të ndërtuar një Tiranë moderne europiane, për të përmirësuar shërbimet e qytetit etj. Bashkia e Tiranës bën me dije se në mbledhjen e sotme Këshillit Bashkiak do t’i paraqitet edhe paketa e re fiskale e propozuar nga kryebashkiaku për eliminimin e të gjitha taksave dhe tarifave vendore, për të gjitha bizneset e reja që punësojnë 50 apo më shumë qytetarë të Tiranës, si dhe uljen me 30% të taksës së ndikimit në infrastrukturë, për të gjitha sipërmarrjet që punësojnë rishtazi mbi 75 persona nga lista e të papunëve në Zyrën e Punës në Bashkinë e Tiranës. Sipas programit të përcaktuar, në Këshillin Bashkiak do të diskutohet për miratim buxheti 2012, projektvendimi “Për disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.3 ‘Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës’”, i ndryshuar, sipas të cilit parashikohet që taksën e pastrimit prej 5 mijë lekësh në vit, familjarët ta paguajnë çdo muaj me një shumë prej 417 lekësh, bashkë me faturën e ujit. Po kështu do të kalojë për miratim edhe projektvendimi “Për disa ndryshime në nivelin e pagave të punonjësve të institucioneve të varësisë”, sipas të cilit, paga bazë e punëtorëve të ndërmarrjeve të Bashkisë do të jetë 20 mijë lekë, ndërkohë që do të jepen edhe shtesat përkatëse sipas diplomave. Vendimet e tjera kanë të bëjnë me miratimin e termave kryesorë të kontratës koncesionare mbi parkimin nëntokësor në sheshin “Italia”; dhënien e bursave për nxënësit dhe studentët për vitin shkollor 2011-2012; miratimin e strukturës së re të Komisionit të Strehimit, si dhe emërtimin “Ibrahim Rugova” të një prej rrugëve kryesore të qytetit të Tiranës. Për një nga vendimet më të rëndësishme, që është ai për bursat për nxënësit e shkëlqyer, të cilat nuk ndahen prej dy vitesh në Tiranë, kreu i Bashkisë ka bërë të ditur se në buxhetin e vitit 2012 është parashikuar edhe fondi i posaçëm për stimulimin e nxënësve me nota dhjeta. “Për vitin shkollor 2011-2012, ne kemi planifikuar për buxhetin në vitin 2012 një fond prej 64 milionë lekësh për 1730 për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe 380 nxënës të shkollave të mesme me nota 10. Kemi parashikuar një fond prej 14 milionë lekësh për të njëjtin qëllim për pagesën e periudhës 15 prill-qershor 2011, pagesë e cila nuk u krye nga Bashkia. Ky stimul paguhet jo vetëm për të stimuluar më të mirët dhe për t’u dhënë atyre mundësinë të vijojnë me të njëjtin kapacitet që kanë nisur, por për t’i treguar të gjithë shoqërisë dhe fëmijëve të qytetit se suksesi do të shpërblehet nga kjo Bashki”, - ka sqaruar Basha. Pasditen e së hënës, kreu i Bashkisë së Tiranës mbylli me banorët e Njësisë Bashkiake Nr.3 edhe konsultimet për buxhetin e vitit 2012, që parashikohet të arrijë në vlerën 70 milionë dollarë.

Vendimet

Miratimin e projektbuxhetit të vitit 2012 për kryeqytetin

Reduktimin e taksave për bizneset që hapin vende të reja pune

Disa ndryshime në vendimin për taksat dhe tarifat vendore

Kontrata koncesionare për parkimin nëntokësor në sheshin “Italia”

Pagat e reja për punonjësit e institucioneve të varësisë

Miratimin e strukturës së re të Komisionit të Strehimit

Bursat e nxënësve dhe studentëve për vitin 2011-2012

Emërtimin “Ibrahim Rugova” të një prej rrugëve kryesore

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›