E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vdekur gjahtari, dyshim për vrasje aksidentale



SKRAPAR - Gjendet i vdekur një 50-vjeçar në një pyll të Skraparit. Sipas policisë viktima është shtetasi, Feti Hallka, trupi i të cilit është gjetur nga disa barinj që kanë qenë duke lëvizur në ato anë. “Trupi është gjetur në pyllin e fshatit Shtëmpanjë, të komunës së Gjerpsit të rrethit të Skraparit, vend ku viktima kishte shkuar për gjueti”- thonë burimet e policisë, duke shtuar se së bashku me të ka qenë edhe një tjetër person, emri i të cilit nuk bëhet ende i ditur. Pasi është njoftuar nga barinjtë, një grup hetimor ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka bërë këqyrjen e kufomës. Hetimet e para tregojnë se vdekja ka ardhur si pasojë e goditjes me armë zjarri. Pistat në të cilat u përqendruan hetimet janë një vrasje aksidentale, ose një vrasje e qëllimshme, por sipas burimeve nga grupi hetimor është ende herët për të dhënë një përgjigje të saktë.

Dhunohet kryeinspektori, paralajmëroi prishjen e objekteve pa leje

LUSHNJË – Vetëm dy ditë pas lajmit për prishjen e disa objekteve pa leje në Lushnjë, kryeinspektori ndërtimor në bashkinë e qytetit është goditur teksa ka qenë duke dalë nga puna. Sipas policisë, Josif Ndrio kishte mbaruar punën dhe ishte nisur për në shtëpi, kur është goditur në sy të shumë dëshmitarëve. Të njëjtat burime sqarojnë se pasi e kanë goditur, agresorët e kanë kërcënuar edhe me jetë. Një nga dëshmitarët, që ka parë ngjarjen ka njoftuar policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe mori në pyetje të dhunuarin. Sipas policisë, ai ka dëshmuar se goditjen e ka pasur për shkak të detyrës, duke qenë në krye të Inspektoratit të Ndërtimores në këtë qytet ka konflikte me persona të ndryshëm. Dhunuesit ende nuk janë vënë në pranga, por sipas policisë ata janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim. Dy ditë më parë Inspektorati publikoi listën e objekteve pa leje që do të prisheshin.

Arrestohet autori i dytë, plagosën me sëpatë fqinjin

KRUJË – Edhe autori i dytë i plagosjes me sëpatë të një shtetasi në rrethin e Krujës që 10 muaj më parë, ka përfunduar në pranga, pasi ndaj tij ishte dhënë masa e sigurisë “burg pa afat” nga gjykata. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë është bërë e mundur kapja e shtetasit Edvin Zalla, 28 vjec, lindur dhe banues në Fushë Krujë. Ky shtetas është shpallur në kërkim nga komisariati i policisë së Krujës që më datë 27 dhjetor të vitit të kaluar pasi Gjykata e Rrethit Krujë, me vendim të datës 17 janar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg” për veprat penale të vrasjes me paramendim, të mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. 28-vjeçari në bashkëpunim me vëllanë e tij, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasin shtetasin E.D.. Tre ditë më parë u ndalua edhe shtetasi Ibrahim Lika për të njëjtën vepër penale.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›