E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja denoncon gjyqtarin Vesel Bako se mori ryshfete



Laureta Rryçi

Tiranë - KLD nis fushatën antikorrupsion. Pas disa muaj inspektimesh dhe hetimesh në radhët e gjyqtarëve ndëshkohet gjyqtari i parë duke iu dërguar dosja në prokurori. Burime pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë pohuan dje për gazetën “Albania” se është nisur dosja e parë në Prokurori ku denoncohet mitmarrja e një gjyqtari. Bëhet fjalë për gjyqtarin Vesel Bako. Të njëjtat burime shpjeguan se gjyqtari është filmuar duke marrë ryshfete. Gjithçka është kopsitur nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Tani më barra bie mbi organin e akuzës që ka si përgjegjësi për të çuar më tej hetimet mbi çështjen në fjalë.
Denoncimi
Deklaratat e para të drejtuesve të KLD-së po faktohen. Inspektorati i këtij institucioni prej disa muajsh pati nisur inspektimet në disa gjykata të vendit duke kaluar kështu në sitë dhjetëra dosje. Por, ndërkohë nga ana tjetër në dyert e këtij inspektorati mbërritëm një numër i konsiderueshëm ankesash nga qytetarët. Midis të tjerave ka qenë dhe ankesa ndaj gjyqtarit Vesel Bako. Qytetari duket se ka qenë i vendosur për t’i shkuar dosjes deri në fund. Për rastin në fjalë ka depozituar filmime duke dhënë paratë që ishin kërkuar për të zgjidhur procesin gjyqësor në favor të tij.
Dosja
Denoncimi për gjyqtarin Bako është përcjellë në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme. Mësohet se ky është rasti i parë që denoncon Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë pas disa muajsh inspektimesh. Ndërkohë mësohet se inspektimet do të vazhdojnë në të tjera gjykata duke mos u neglizhuar dhe ankesat e qytetarëve për proceset që kanë në gjykata të ndryshme të vendit. Pak ditë më parë, një iniciativë të tillë e mori ministri i Drejtësisë Enkeled Alibeaj. Ky i fundit vendosi të denoncojë në prokurori dy prokurorë të Shkodrës duke ngritur ndaj tyre një sërë shkeljesh.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›