E Shtunë, 31 Tetor 2026

Natasha mund të flasë vetëm si kafshët

Policia dhe shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve kanë zbuluar në Siberinë Lindore, jo shumë larg nga kufiri me Mongolinë, një vajzë 5-vjeçare të rritur nga qentë e macet, e cila mund të fliste vetëm si kafshët. Sipas autoriteteve, Natasha - kështu quhet vajza e vogël e krahasuar me Moglin, personazhi i filmit "Libri i Xhunglës" - nuk ka dalë kurrë nga shtëpia. Ajo është gjetur në një apartament të pisët e të braktisur ku jetonte me prindërit, të cilët nuk janë kujdesur kurrë për të. "E veshur me rrecka dhe me një sjellje që i ngjan më shumë një kafshe shtëpie, e vogla Natashë u vërsulej njerëzve si të ishte qen. Gjatë këtyre viteve, vajza ka mundur të mësojë vetëm gjuhën e kafshëve", ka thënë një zëdhënës i policisë. "Në apartament vinte erë jashtëzakonisht e keqe dhe kudo kishte qen dhe mace", ka shtuar ai. Prindërit, nëna 25 vjeçe dhe babai 27 vjeç, do të mbajnë të gjitha përgjegjësitë për veprimin e kryer. Ata u janë përgjigjur të gjitha pyetjeve të inspektorëve të shërbimit për mbrojtjen e fëmijëve, për të sqaruar rrethanat e një rasti kaq të tmerrshëm.

Natasha është dërguar në një qendër sociale ku po merr ndihmë mjekësore dhe psikologjike, por vazhdon të hidhet si qen e të mjaullijë si mace.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›