E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vend sekret për fjalimin e Obamës

Sipas të dhënave zyrtare të Shtëpisë së Bardhë si dhe të autoriteteve të Kajros, deri tani nuk është vendosur ende vendi ku Presidenti Obama do t‘i drejtohet të enjten e javës së ardhshme gjithë botës myslimane në Kajro. Nga të gjitha palët, pika e saktë gjeografike ku do të flasë Presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbahet në sekret të plotë.

Por duket se ky sekret nuk është mbajtur dot. "Do ta mbajë fjalimin në Universitetin e Kajros", thotë 40-vjeçari Ramadan Abdel Al, i cili zotëron një dyqan të vogël ku shet këmisha burrash në adresën numër 26 të rrugës "Korriku". Ka dalë nga dyqani në trotuar, për të tymosur një cigare. "E lexova në gazetë".

Gazeta "Al Masri Al Jum" e konsideroi një lloj triumfi editorial faktin që shtiu në dorë dhe publikoi të gjithë itinerarin presidencial (këtë e bëri madje edhe në faqen e parë) duke nënvizuar se ai fjalim historik përmes të cilit Obama do t‘i drejtohet botës myslimane, do të bëhet në Universitetin e Kajros. Sigurisht, ekzistojnë gjasa se ajo çfarë thotë gazeta të jetë e gabuar, ndoshta Presidenti Obama as që e ka ndërmend të vizitojë Universitetin e Kajros. "Axhenda nuk është konfirmuar në tërësi", u shpreh të mërkurën një zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kajro.

Universiteti i Kajros mbulon një territor të madh në Giza. Është një institucion shumë i rëndësishëm dhe prestigjioz, i cili e ka ndihmuar Egjiptin të vendoset në qendër të kulturës arabe. Sot ndoshta nuk e ka më atë shkëlqimin e dikurshëm, por muret e tij mbajnë erë bojë të freskët dhe vërehet lehtë që sapo janë lyer. Territori është pastruar me kujdes të veçantë si kurrë më parë, ndërsa rruginat ndrisin nga pastërtia.

Përse gjithë ky rregull i tepruar?

"Jemi shumë krenarë të presim këtu Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës", tha të mërkurën teksa gjendej në ndërtesën e auditorit, Galila Mukhtar, e cila punon në departamentin e marrëdhënieve me publikun në universitet. Fjalët e thëna pa djallëzi nga vajza na bëjnë të kuptojnë se thashethemet që thuhen lartë e poshtë, bashkë me itinerarin e publikuar nga gazeta "Al Masri Al Jum" janë më se të vërteta. Bingo!

Universiteti i Kajros numëron rreth 200 mijë studentë. Një tjetër element që e konfirmon edhe më tej faktin se kemi bërë bingo është njoftimi që universiteti do të bëjë pushim ditën kur Presidenti do të vizitojë qytetin, të gjithë studentëve do t‘u jepet pushim i detyruar. Vetëm 15 studentë nga secili prej 18 kolegjeve janë ftuar të jenë të pranishëm në çastin kur, sipas gjasave, Obama do t‘i drejtohet botës myslimane. Ose të paktën këtë bën me dije gazeta "Al Masri Al Jum".

"Shtëpia e Bardhë nuk na ka dërguar ende një axhendë përfundimtare", shpjegoi edhe një herë tjetër po i njëjti zëdhënës i ambasadës amerikane në Kajro. "Duket se nuk është përfunduar ende dhe po punohet mbi të. Për aq sa na thuhet nga Shtëpia e Bardhë, nuk është gati ende një axhendë e saktë". Gjëra të tjera mëson po t‘u vësh veshin atyre që thuhen në universitet. Një prej zëdhënësve të tij saktësoi se Presidenti Obama do ta mbante fjalën në sallën e madhe të pritjeve.

Presidenti Obama është shprehur se ka zgjedhur Kajron për këtë fjalim historik në mënyrë që të mund t‘i drejtohet gjithë botës myslimane, jo vetëm asaj arabe. Por, ndërsa autoritetet e Universitetit të Kajros ashtu si ato të qeverisë egjiptiane janë shprehur me fjalët më të mira për vizitën e Presidentit amerikan, studentët që venë e vijnë nëpër rruginat mes kampuseve, ashtu si banorët rrugëve të qytetit, tregohen dyshues kur pyeten nëse fjalimi do të sjellë ndonjë ndryshim në raportet mes Perëndimit dhe botës myslimane. "Na lini të merremi me provimet", tha një studente, e cila pranoi të identifikohej vetëm me emër, Dina. "Nuk pres të ngjasë asgjë. Amerikanët nuk na pëlqejnë dhe as ne nuk i kemi shumë qejf. Ata mendojnë se të gjithë ne jemi terroristë, ndërsa ne nuk i duam për shkak të asaj që po bëjnë në Irak".

Pjesa më e madhe e krerëve të shtetit që vizitojnë Egjiptin shkojnë në zonën turistike të Detit të Kuq, Sharm El Sheik. Kjo pasi është shumë e lehtë të garantohet siguria e tyre. Të paktën shumë më e lehtë se në mes të një qyteti me 18 milionë banorë. Si Uashingtoni ashtu edhe Kajro kishin qenë në një mendje mbi faktin se fjalimi duhej mbajtur në qytet, në rast se kërkohej që jehona e tij të dëgjohej edhe në rrugë e jo vetëm në qarqet politike e diplomatike.

Gjithsesi, audiencë aspak e lehtë

"Po pastrojnë e po ndriçojnë gjithçka si kurrë më parë", thotë 18-vjeçarja Amira Abaz, e cila sapo ka dalë nga provimi i sociologjisë. "Nuk e kuptoj se përse po e bën këtë vizitë. Çfarë mund t‘i thotë botës myslimane? Është i ri dhe kërkon veç të përmirësojë imazhin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botën myslimane".

Jashtë portave të mëdha të universitetit, shitësit, që tregtojnë gjithfarë sendesh e objektesh në kioskat e tyre të vogla, thonë se problemet e tyre të përditshme as që u japin kohë të mendojnë për raportet ndërkombëtare. Dhe një qëndrim i tillë ndeshet dendur në një vend ku gjysma e popullsisë duhet t‘ia dalë me më pak se 2 dollarë në ditë. "Po përpiqem të marr një certifikatë lindjeje në mënyrë që të gjej punë", thotë 52-vjeçarja Abdel Hafiz, ndërsa e bija 9-vjeçare u drejton studentëve në rrugë peceta letre. "Kudo ku kërkoj punë, më thonë se më duhet certifikata e lindjes. Ndoshta Obama më ndihmon për të mbaruar punë me dokumentet".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›