“Protestat, kartolinë për Berishën”
• Socialistët kanë nisur protestat e tyre të krizës dhe korrupsionit.fier / Majlinda RamaKryetari i Asamblesë Kombëtare socialiste, Gramoz Ruçi, ka qenë dje në krye të protestës së qytetarëve fierakë kundër korrupsionit qeveritar, por dhe mungesës së energjisë, ujit dhe rritjes së çmimeve. Ruçi në fjalën e tij e ka cilësuar qeverinë "Berisha" "një shtet që godet demokracinë, progresin dhe zhvillimin e vendit". Ai tha, se "duhet t'i japim fund kësaj qeverie, e cila çdo ditë e më shumë po varfëron xhepat e shqiptarëve". "Protestojmë kundër errësirës, pasi kjo qeveri është qeveri e errësirës dhe vetë Berisha është errësirë. Ka premtuar në janar të vitit të kaluar se do të ketë drita dhe ujë 24 orë, dhe ja ku jemi në fund të këtij viti, sot kur duhet të mblidheshim për të festuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, të mbledhur për mosmbajtjen e premtimeve nga Berisha. Vetë kryeministri i vendit është demagogji", tha Ruçi. Sipas numrit dy të PS-së, "Berisha i ka dhënë shtysë vendit të shkojë drejt një katastrofe ekonomike, ka varfëruar xhepat e çdo qytetari të thjeshtë, ka rritur çmimet". Në fjalën e tij Ruçi ka kërkuar falje për ardhjen e Berishës në krye të vendit më 3 korrik 2005. "Duhet të na falni dhe ne do t'ju udhëheqim për ta zhdukur një herë e përgjithmonë këtë qeveri. Një qeveri që po na mban larg integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO", u shpreh Ruçi. Sipas tij, "kjo protestë është një kartolinë për Vitin e Ri për zotin Berisha, e cila i lajmëron atij fundin e qeverisjes". Ruçi i ftoi qytetarët të marshonin përgjatë bulevardit kryesor të qytetit për t'u ndalur më pas në sheshin 'Fitorja'. Protestuesit e shumtë me qirinj të ndezur dhe pankarta kundër qeverisë "Berisha" kanë brohoritur nën thirrjet për një qeverisje më të mirë që t'i thotë stop krizës energjetike dhe të gjitha krizave energjetike që po kalon vendi ynë. Si për ironi fundi i protestës së socialistëve fierakë është shoqëruar me mungesë të energjisë përgjatë gjithë bulevardit dhe një pjese të qytetit. Në krye të protestës kanë qenë kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së Shqipërisë, Gramoz Ruçi, deputetët Kastriot Islami, Petro Koçi, Fatmir Xhindi, Albert Çaçi, si dhe drejtues të kësaj partie e pushtetarë vendorë. Kryetari i Partisë Socialiste, Fier, Arjon Muça, e ka quajtur qeverinë aktuale "një qeveri që mbjell nepotizëm". Ai ka ftuar qytetarët të protestojnë në emër të krizave që po kalon vendi.