E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga biznesmenit në Rinas, nuk deklaroi 40 mijë dollarë

• TIRANE - Ndalohet në Rinas biznesmeni turk, tentoi të kalonte kufirin në drejtim të vendit të tij me 40 mijë dollarë të padeklaruar në doganë.

Murat Aksyz, 35 vjeç me shtetësi turke, është ndaluar mesditën e djeshme nga oficerët e policisë kufitare në Rinas, pasi me vete i janë gjetur një sasi prej 40 mijë dollarësh, të cilat nuk i kishte deklaruar. Një shumë e tillë sipas burimeve të policisë është 10 herë më e lartë se sa norma e lejuar për të cilën nuk duhet të kryesh deklarim në doganë. Ndalimi i turkut, që është deklaruar se ishte biznesmen, është konfirmuar për gazetën “Panorama”, nga burime të policisë së Rinasit, të cilët pohuan se Askyz, 35 vjeç nga Stambolli, kishte hyrë në territorin shqiptar rreth një javë më parë dhe se dje duhej të udhëtonte sërish drejt Stambollit, me linjën ajrore turke “Turkish Arilines”. Gjatë kontrollit të policisë kufitare në Rinas dhe gjatë intervistimit të tregtarit, është zbuluar sasia e parave që ai mbante në një prej bagazheve të tij, që do të ngarkoheshin në avion. Bagazhi është bllokuar nga policia, ndërsa turkut menjëherë i është kërkuar të ndjekë oficerët e policisë. Ai është dërguar në komisariat, ku është pyetur për sasinë e parave dhe për se ai nuk i kishte deklaruar. Askyz është munduar të justifikohet se nuk e dinte se duheshin deklaruar në doganë dhe se sa duheshin deklaruar, për këtë fakt ai kishte neglizhuar deklarimin shumës së konsiderueshme të parave që kishte me vete. Gjithsesi një argumentim i tillë, pak ka qenë i vlefshëm për oficerët e policisë kufitare të Rinasit. Atij i është komunikuar bllokimi i tij dhe se nuk mund të udhëtonte në drejtim të Turqisë dhe se paratë do t’i bllokonte policia. Sipas burimeve të policisë turku, do të hetohet me akuzën e mosdeklarimit të valutave dhe në pikat e kalimit kufitar. Ndërkaq hetimet e policisë do të shkojnë edhe në drejtim të verifikimit të burimit nga se ka ardhur një shumë e tillë parash.                      d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›