Bllokojnë rrugën kombëtare, se u janë përmbytur shtëpitë
FIER/ Banorët e Mbrostar Urës kërkojnë me forcë ndërhyrjen e shtetit për normalizimin e situatës
Banorët e fshatit Mbrostar Ura në komunën me të njëjtën emër të Rrethit Fier janë ngritur dje në protestë. Rreth 200 veta kanë bllokuar rrugën nacionale Fier-Lushnjë për më shumë se një orë, duke paralizuar lëvizjen e automjeteve. Banorët e këtij fshati e kaluan natën e së premtes mes ujit që u ka përmbytur banesat. Kjo ishte nata e dytë që gdhinin të përmbytur. Duke qenë se për tri ditë me radhë niveli i ujit nuk ka rënë, ata kanë kërkuar ndihmën e komunës, e cila ka çuar një pompë thithëse, që nuk e ka përballuar dot prurjen e ujërave. Kjo ka bërë që rreth orës 08:30 të mëngjesit, banorët të bllokojnë rrugën nacionale Fier-Lushnjë, duke gjetur këtë si mënyrën e vetme për të detyruar autoritetet të marrin masat e duhura. Rruga është bllokuar për gati një orë dhe vetëm pas përpjekjeve të policisë, protestuesit kanë liruar njërën korsi. Banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të larguar ujërat nga banesat e tyre dhe rrugët e fshatit. Ata kanë kërkuar investime për të mos përjetuar sërish të njëjtat situata të frikshme. Ata deklaruan se do të vijojnë protestat në rast se vëmendja e shtetit dhe e organeve kompetente nuk kalon tek ta. Sipas protestuesve, jo vetëm banesat janë kthyer në një godinë ku fle myku dhe lagështira, por dhe mobiliet apo orenditë shtëpiake nuk janë më funksionale. Shirat e javëve të fundit kanë bërë që mbi 100 familje të Mbrostarit të bllokohen dhe të përmbyten, për shkak të mungesës së kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. Prej tri ditësh, kryetari i Komunës Mbrostar, Vait Baçja, përjeton të njëjtën situatë si komuniteti i komunës së tij. Ai thotë se zona është nën nivelin e kodrave pranë dhe mbledh ujërat e këtyre të fundit. Baçja ashtu si dhe banorët ka kërkuar investime dhe fonde nga qeveria, pasi me të ardhurat e komunës e ka të pamundur ndërhyrjen. Për shkak të reshjeve të shiut, shumë zona në Qarkun e Fierit janë rrezikuar nga përmbytja, ndërsa të tjera janë prekur nga rrëshqitjet masive.
#