Natyra e njeriut si problem sociofilozofik…
Libri i sociologut Gëzim Tushi “Shoqëria moderne dhe njeriu i lakuar”, që sapo ka dalë në qarkullim, është një tjetër dëshmi konkrete e punës intelektuale, kërkuese dhe studiuese të autorit. Në një vëllim voluminoz (prej 454 faqesh), autori ka analiza teorike, pwrsiatje dhe refleksione sociale dhe sociologjike nga përvoja dhe problemet e jetës së përdittshme të shoqërisë shqiptare të ditëve tona, të cilat ai i ka përdorur si “burim të parë” për konkluzione të gjera sociologjike. Autori ka kohë që ndihet i shqetësuar për problemet e njeriut, të botës sociale dhe qytetërimit modern bashkëkohor. Ky problem nuk është vetëm shqetësim empirik, por dhe social dhe filozofik. Këtë tematikë, Gëzim Tushi e ka trajtuar në mënyrë tërësore edhe në librat pararendës si “Probleme dhe dilema sociale” dhe “Shoqëria civile”. Bashkë me librin e fundit, autori ka mundur që në rreth 1400 faqe të botuara të trajtojë gjerësisht një problematikë sociale që shqetëson shoqërinë shqiptare dhe njeriun e saj. Titulli i librit është jo vetëm intrigues, por dhe sinjifikativ, sepse ka në qendër problemin e madh ekzistencial “ç’është njeriu?” ose më saktë “cila është natyra e tij dhe e shoqërisë moderne?”. Autori bën përpjekje serioze për të analizuar në kontekstin e kohës dukuritë sociale dhe veçoritë e sjelljes dhe komportimit individual të njeriut në raport me veten, shoqërinë, komunitetin dhe institucione të tilla fondamentale si familja, shkolla dhe institucionet fetare. Analiza e gjerë e “problemit gjinor” dhe qëndrimi i shoqërisë sonë me natyrë maskiliste ndaj femrave, problemet e familjes, divorcit, dhunës ndaj grave, sjelljet me natyrë diskriminuese negative, si dhe një varg problemesh të tjera, janë objekt i analizave të autorit në një kapitull të tërë (kapitulli i dytë). Ndërkaq, ai nuk lë pa trajtuar problemet e politikave dhe reformave sociale, aspektet e ndryshimeve që ka pësuar “arkitektura e shërbimit social” ndaj njerëzve, që për shkaqe të caktuara janë në nevojë dhe duhen mbështetur nga “dora sociale” e shtetit. Metoda e analizës sociologjike është në mjeshtërinë e autorit për të bërë “digresion social”, pse jo, edhe parashikime apo prognoza të proceseve të ndryshme, vlerësime demoskopike të opinionit në tërësi, për të kaluar më tej në “interpretime kapilare” të veçorive të shfaqjes të së njëjtës dukuri në grupe sociale, moshore e gjinore të ndryshme. Sociologu Tushi kalon organikisht nga “optika e sociologut” te analiza profesionale e dukurive dhe situatave të veçanta, që shfaqen të tipizuara në nëngrupet sociale të shoqërisë shqiptare, siç janë të varfërit, fëmijët e braktisur, personat me aftësi të kufizuara, gratë e dhunuara, të moshuarit e braktisur, viktimat e drogës, alkoolit dhe prostitucionit etj. Me shumë vlerë dhe me një shikim interesant sociologjik, autori trajton problemet e familjes, martesës, divorcit, nevojës për një “drejtpeshim moral” konsensual të familjes, duke e konsideruar atë si një nga tre “institucionet e sigurisë morale”, siç shprehet Gëzim Tushi në librin e vet, jo vetëm familjen, por dhe shkollën dhe institucionet fetare. Është meritë e tij fakti që ai ka ditur të ndërtojë një vepër me vlera teorike dhe të dobishme edhe për “praktikën sociale”. Ai kombinon me kujdes dhe sens mase analizën e dukurive empirike me fenomenet sociale, të shumta e të panumurta, me të cilat ndeshemi në realitetin tonë. Barazpesha e këndshikimit empirik me observimin dhe përgjithësimin teorik e sociologjik të “situatave sociale” është një linjë e përgjithshme që ndihet në tërë strukturën lëndore të librit. Kjo e ka ndihmuar atë, që vazhdimisht, në mënyrë organike dhe pa sforcim, të ravijëzojë në të njëjtën kohë analizën konkrete të dukurisë sociale dhe intensitetin e shfaqies së tij bashkë me kahjen, prirjen e fenomenit të analizuar, duke dhënë shpesh rekomandime, zgjidhje, propozime për ndërhyrje të mundshme nga shteti e strukturat politikëbërëse. Nëse veprën e analizon me vëmendje teorike e profesionale, duket qartë qëllimi kryesor i autorit, që faktet sociale e dukuritë shoqërore t’i analizojë në mënyrë komplekse nga afër dhe në distancë, duke e lëvizur teleskopin nga e kaluara tek e sotmja e prej këndej drejt së ardhmes, por edhe duke i parë dukuritë e ngjarjet në dy dimensione, siç janë gjendja statike dhe prirja dinamike. Autori parashikon njëherësh tendencën, prirjen, drejtimin, deformimin, që mund të marrë e gjitha kjo në të ardhmen. Ai përdor teknikën e analizën dhe të studimit, vlerësimit e prognozës sociale, duke ndërhyrë për të zbërthyer përmbajtjen dhe formën e fenomeneve të ndryshme sociale. Mund të thuhet se tashmë publiku ka një libër intrigues më tepër, të dobishëm për përdorim nga kushdo, sidomos studentët e Shkencave Sociale, profesionistët e edukimit të politikës, medias, të shoqërisë civile, etj.
24 Mars 2008