Nazim Bllaca, zgjedh avokatin

Nazim Bllaca ka në shtëpinë e tij në fshatin Ribar të Madh të Lipjanit, listën me emrat e të gjithë avokatëve të Kosovës. Në mesin e 525 avokatëve të vendit sa janë aktualisht të regjistruar, Bllaca do të zgjedhë njërin prej tyre, për ta mbrojtur në procesin gjyqësor të iniciuar nga misioni evropian për sundimin e ligjit (EULEX). Përzgjedhjen e avokatit, Bllaca do ta bëjë thjesht duke prekur emrin e ndonjërit prej avokatëve, që ndodhet i shënuar në listën zyrtare të Odës së Avokatëve të Kosovës. Emrat e këtyre avokatëve ndodhen edhe në faqen e internetit të kësaj organizate, por Bllaca nuk ka pasur fare nevojë të lodhet për këtë. Është prokurori i çështjes nga EULEX-i, Maurizzio Salustro, ai i cili ia ka dërguar këtë listë me emra të avokatëve, personit që veten e quan vrasës dhe torturues.
Kështu, Bllaca i cili ka deklaruar se ka zbatuar urdhrat e zyrtarëve të ish-Shërbimit Informativ të Kosovës, për të kryer këto akte dhune, pritet që së shpejti të vendosë për emrin e avokatit që do ta mbrojë.
Zyrtarë të misionit evropian tregojnë për Express se duhet patjetër që dikush nga avokatët ta mbrojë Nazim Bllacën. “I takon atij të zgjedhë dhe të tregojë se kush dëshiron ta mbrojë. Këtë listë ia ka dërguar Oda e Avokatëve të Kosovës”, thotë ky zyrtar për Express.
Por problemi në këtë rast qëndron se asnjë nga avokatët e vendit nuk ka shprehur interesim ta mbrojë Nazim Bllacën. Pavarësisht ligjit, askush nuk i ka caktuar atij avokat, edhe pse në rast kur këta të fundit nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë, bazuar në kapitullin 69, neni 73 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, është kryetari i Gjykatës së Qarkut, ai që do t’i caktonte një mbrojtës ligjor, sipas detyrës zyrtare.
Dërgimin Nazim Bllacës të listës me emra të avokatëve, e konfirmon për Express edhe Musa Dragusha, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës.
Por ai jep një shpjegim pak më ndryshe. Sipas tij, ka qenë prokurori i çështjes nga misioni i EULEX-it, ai i cili i ka kërkuar organizatës që ai drejton, listën me emrat e avokatëve. “Me kërkesën e EULEX-it, Oda ia ka përcjellë emrat e avokatëve prokurorit të çështjes”, thotë Dragusha, sipas të cilit, avokati që në raste të tilla e përzgjedh i arrestuari, është i obliguar ta marrë rastin.
“Avokati duhet ta marrë rastin dhe ta përfaqësojë personin, pavarësisht peshës së rastit dhe opinionit që mund të jetë krijuar për atë person”, shpjegon kreu i OAK-së.
Kryetari Musa Dragusha tregon se refuzimi i rastit nga avokati mund të bëhet vetëm për arsye shumë të forta. “Rasti mund të refuzohet nga avokati vetëm në rastet kur paraqiten shkaqe të arsyeshme nga avokati”, thotë Musa Dragusha.
Në këtë rast, avokati i përzgjedhur cilësohet se merr në mbrojtje të arrestuarin sipas detyrës, që do të thotë se do të paguhet nga mjetet publike.
Ndërkohë që Bllaca pritet të zgjedhë avokatin e tij, masa e arrestit shtëpiak prej tridhjetë ditësh i përfundon më 30 dhjetor.
Për këtë arsye, të hënën është mbledhur paneli i gjyqtarëve të EULEX-it për të vendosur për masën që do t’i shqiptohet Nazim Bllacës.
“Vendimi do të merret para datës 1 janar”, thotë zyrtari i EULEX-it për Express.
Nazim Bllaca akuzohet për vrasje dhe tortura, të cilat ai vetë publikisht ka pranuar se i ka bërë me urdhra të zyrtarëve të ish-SHIK-ut.
Ligji
Në kapitullin 69, përkatësisht në nenin 73, të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës thuhet se “në qoftë se i pandehuri në rastin e mbrojtjes së detyruar nuk angazhon mbrojtës, e angazhimin nuk e bën askush në pajtim me nenin 69, paragrafi 6 i këtij Kodi, kryetari i gjykatës ose organi kompetent që e zbaton procedurën në fazën paraprake, cakton mbrojtës sipas detyrës zyrtare në shpenzime publike…”