E Diel, 1 Nëntor 2026

Nazmi Hoxha: Tablotë, 1 mijë euro vetëm për shqiptarët

15/06/2005  Dueli mes tregut të çorientuar në Shqipëri dhe vlerës reale të një pikture, Nazmi Hoxha e ka zgjidhur në favor të artdashësit shqiptar. Në ekspozitën e hapur, mbrëmë, në Galerinë Kombëtare të Arteve, në siglën “Qyteti i refugjatëve” rreth dhjetë tablo i ka firmosur me shifrën 1.5 mijë euro. Ajo që i intereson piktorit Hoxha, pas dhjetë viteve mungesë në Galeri, ka të bëjë më shitjen e punëve të tij vetëm brenda trevave shqiptare. Nuk e tërheq ajo fryma arrogante e të huajve, dhe as dëshira për t’u shitur jashtë. Aryseja është paragjykimi. Ndërsa tablotë e tij mbajnë qetësinë, përmes konceptit metafizik, të lëvizjes qiellore të njerëzve dhe të përgjegjshmërisë që ka artisti për të tërhequr publikun drejt lartësimit shpirtëror, për ta shkëputur nga e rëndomta e përditshmërisë. Kjo e frymëzon më shumë se sa entuziasmi për t’u bërë i famshëm. Njëlloj filozofie e Hoxhës, si qënie universale që ngacmon butë, nuk trondit por që të ndal frymën për orë të tëra meditimi.

Pas dhjetë vitesh hap ekspozitën në Galerinë Kombëtare të Arteve pse gjithë kjo mungesë e gjatë, nën siglën “Qyteti i refugjatëve”?

Po, ka qysh më ’95-ën që nuk ekspozoj në Galeri. Ndërsa është ekspozita e dhjetë që hap në Tiranë shto dhe këtu at ëkolektive. Por unë kam koncept tjetër për ekspozitat. Sa herë më pyesin sa ekspozita kam hapur!? Mendoj se a ka vlerë numërimi apo diçka tjetër. Në rastin tim nuk e ndjej veten komod për një ekspozitë po nuk pata një mesazh. Nëse shoqëria ime kërkon ekspozita të vazhdueshme kjo nuk është thjesht për të argëtuar mendimet dhe dëshirat e miqve. Por duhet ta shikosh vetë se çfarë duhet të japësh atyre. Nëse nuk ke një mesazh të freskët që ti ngacmosh ndryshe nga të tjerët, atëhere ekspozitat janë thjesht një zanat. I urrej artin si zanat, që punon dora dhe nuk punon as truri, as ndjenjat. Njeriu që merret me pikturë apo skulpturë , si dyqanxhi ai është shumë më i largët se sa një shitës zarzavatesh ose frutash.

Shoh që Galeria është një tempull për artin, realisht, pavarsisht se nuk na pengoi njeri që të hapnim ekspozitat e tjera në të. Por dukej sikur kishte vlerë të hapje ekspozitë dhe në këto anësoret, nëpër mjediset e tjera, për të ndërruar gjeografinë. Por e shoh se galeria ka një vlerë specifike nga të gjitha mjediset e tjera, dhe e pashë të udhës, meqë është një nyje qëndrore, se ishte e domosdoshme. Sepse vetë piktura që ekspozoj sot është më komode në mjediset e Galerisë qoftë në sipërfaqe në sallave po ashtu dhe ngjyra e cila më ndihmon në transmetimin e mesazhit tim kozmik në të errtën që ka salla duke krijuar një brendi më të madhe se sa një ambjent tjetër.

Ndërsa titulli “Qyteti i mesazheve” është i drejtpërdrejtë, dhe piktura është metafizike. Jam shmangur peisazh, të quajturit fizikë asaj që konceptohet si dicka optike ose e rëndomtë një re, të cilat në Tiranë janë shumë interesante në ndryshim nga të gjitha vendet që kam parë. Retë që dalin nga Dajti janë diçka krejt e veçantë.

Çfarë është kjo metafizika e reve, mbi të cilën ke huazuar simbolikën dhe pikërisht për Tiranën?

Gjithmonë metafizika ka një frymëzim të veçantë, e cila ka lidhje me fizikën. Ajo ndikon direkt tek kontaktet shqisore, të cilat pastaj përpunohen në laboratorin shpirtëror për të krijuar një realitet tjetër. Ndërsa duke jetuar në vendlindjen time, Tropojën, natyra në atë zonë është e jashtëzakonshme, siç thonë operatorët mjafton të vësh kameran dhe e ke kuadrin të qartë. Dhe ardhja ime në Tiranë për arsye të njohura, dhe të ndërrosh këtë gjeografi duke parë se çfarë lidhet me ty, ajo që është më shpirtërorja nga e jotja. Tirana kuptohet si çdo qytet, ku unë nuk e shoh veten në këtë mjedis të qytetërimit. Por e vetmja gjë që më lidh është kjo bukuria e reve, ku gërshetohet me jetën dhe situatat e ndryshme njerëzore, me një formë tjetër. Ndaj më lindi ideja që këto re, ashtu siç ikim ne nga një kënd në tjetrin, janë si fenomenet njerëzore nga një atdhe në tjetrin. Pra m’u krijua imazhi i jetës së refugjatit, por jo të rëndom të cilën kanë probleme dhe halle të pazgjidhshme. Por këtë e ktheva në një aspekt tjetër që artisti nuk gjen vetveten në mjediset e rëndomta. E vetmja mënyrë është për të marrë një pronë tjetër e cila shkëputet nga kjo tokë, që krijon një galaktikë të tij. Qielli është i pranishëm gjithmonë si dhoma e një artisti. Në këtë pikë e strehoj artistin në diell, në hënë, në yje dhe si duket ia jap një pronë që nuk i rrezikon pronarët. Ky është motivi. Por këtu ka dhe diçka tjetër se çfarë thith artdashësi? Ai ndoshta nuk e di këtë odise timen.

Qënie dhe banesa të sofistikuara në re, imazhe universale që shoqërohen dhe me lojë ngjyrash. Duket sikur kërkon tërheqje të publikut nga jeta e përditshme për ta futur në pushtetin e një atmosfere të qetë, lëvizjeje...Cila është tendenca juaj?

Po t’i referohem një paralelizmi kur Platoni shkruani për “republikën” thotë se “kam problem disa njerëz, që janë shumë të pakët, me të cilët nuk dua të merrem”. Dhe kur e pyesin se kush janë ata thotë se “kur na prishin punë i eliminojmë”. Mirëpo këta ishin artistët. Mirëpo ai përgjigjet se po i eliminuan artistët, atehere nuk do të ketë fare “republikë”. Artisti ka përgjegjësira për jetën, ai parashikon atë që mund të ndodhë dhe u thotë njerëzëve “hajdeni pas meje”, për t’u mos u marrë me problemet e rëndomta që nuk kanë jo vetëm përfitim material por as shpirtëror. Në një farë forme artisti është psikiatër, jo vetëm i vetvetes por me dashje, pa dashje dhe për të tjerët. Dhe si i tillë është detyrë e tij që të zgjidhë disa probleme që nuk zgjidhen me rrugë të rëndomta, por me rrugën e një lloj terapie. Pikërisht arti është një lloj medikamenti tepër i përshtatshëm dhe i domosdoshëm për njerëzit që ata të mos hyjnë në kotësira, në materialitetin e tyre të tepruar.

Nga ana tjetër për të tërhequr publikun ngjyra ka qenë një tendencë e ngritur enkas, e cila në një farë mënyrë e hipnotizon tjetrin. Nuk ka formulë për të. Ashtu si thëniet e kolegëve, miqve, dhe artëdashësve, ngjyrat në këtë ekspozitë janë dominante brenda mesazhit, motivit të ekspozitës, të cilat e lehtësojnë nga gjërat e tepërta. Është një ekspozitë e qetë, lehtësuese, kur në bisedën tonë ju thatë se një nga pikturat duket si joga. Pra unë nuk e kisha këtë ide, por mund të jetë ndoshta dhe ashtu. Piktura duhet të jetë meditative, jo ngacmuese, shqetësuese. Kur shikohet një pikturë, njeriu duhet të hyjë në botën e tij nëpërmjet saj dhe të mendojë për të mirat e të këqijat, dhe të zgjedhë atë që i krijon harmoninë shpirtërore.

Filozofi qiellore e rrethuar me kornizë të thjeshtë druri pa dekoracione fabrike. Është mosvëmendje apo ka domethënie?

Jo, ka një domethënie. Disa miq të mi nuk e pëlqyen duke më sugjeruar që pikturat nuk kanë nevojë fare për kornizë sepse kanë një lloj përkryerje në vetvete. Ndërsa ideja ime ishte se duke parë nga sipër tokën ajo ëstë e errët dhe mendova që ta vë qiellin mbi tokë që është korniza, një gjë arkaike. Dhe telajo shkëputet nga toka është një gjë e kaltër, e verdhë etj. Ky ishte koncepti që praktikova dhe mendoj se i shkon. Nuk ishte kornizë kombinatesh, prodhime serie por e zgjedhur sipas kostumit tim.

Ajo nuk është në funskionon për të shitur pikturën, por është shumë e lidhur me pikturën.

Vijmë tek më kryesorja për një piktor pasi kalon fazën e ekspozimit është menaxhimi. Në ç’mënyre ke menduar që kjo ekspozitë të sigurojë tregun e saj, të shkojë tek publiku?

Këtu ka një duel shumë të madh. Shqipëria është një vend nga më të çuditshmit në lidhje me vlerësimin e artit dhe mënyrën se si autori arrin ta shesë një vepër arti. E para është se vepra kushton shumë lirë në konceptin e blerësit. Ai në Shqipëri vjen me një sasi parash, nuk di se më kë ka të bëjë. Blerësit në Shqipëri nuk dijnë se ku është ndryshimi nga një pikturë nga një tjetër, dhe më pas nga një piktor në një tjetër. Ketu ndodhin dhe ato manipulimet mediatike që shpesh publikojnë çmime të llahtarshme. Për mua ky është një problem politik nuk është një shitje natyrale.

Në kohën që ekspozohet tabloja, poshtë shënohet dhe vlera financiare, konkretisht, pas situatës që përshkruat më lart, si do të manovroni me shitjen e punëve?

Nuk bëj llogarinë se sa kushton një vepër e imja sepse deri diku çdo autor e di. Tani detyrohem të varijoj midis amatorit, të rëndomtë që do të thotë rreth 300 euro dhe që shkon deri tek 5 mijë euro.

Që të vendos çmim të ulët do të thotë se ky nuk e vlerëson vetveten, dhe të ruaj çmimin e lartë nuk e ble njeri. Në këtë mes më duhet të sakrifikoj dhe ta kem çmimin tavan të tablove nga 1 mijë euro deri në 2 mijë euro. Nga një anë duhet të them, se kjo vepër nuk është e rëndomtë dhe në tjetrën duhet t’u bëj të qartë atyre që kanë para se nuk e blejnë dot pasi nuk e kuptojnë pikturën, ose nuk e njeh Nazmiun. Këtu është krejt ndryshe nga konceptet perëndimore ku piktura shikohet nga një ekspert ku pyetet së pari nëse vepra është origjinale dhe më pas vendos vlerën sa meriton. Kjo dallon një amator nga një profesionist.

Sa tablo, duke u nisur nga ekspozita e hapur mbrëmë, keni firmosur për shitje, Cilës shtresë i përkasin nëse mund të na e thoni?

Janë rreth dhjetë tablo të shitura deri tani të cilat shkojnë 1 mijë euro deri 1.5 mijë euro. Përderisa Galeria nuk është një dyqan tablotë, pavarsisht nga shitjet, do të qëndrojnë të ekspozuara deri në ditën e fundit. Pasi mendoj se me to duhet së pari të njihet publiku. Ata që i kanë blerë punët janë kryesisht intelektualë mjekë, shkrimtarë ka dhe natyra inxhinierësh që janë të lidhur me pikturën nga fëmijëra e tyre, të cilat kanë pasur aspirata për të qenë piktorë. Pikërisht kjo është shtresa që përgjithësisht ka tërhequr pikturën time. Por ka dhe afaristë, firma të ndryshme, të cilët i njoh për shkak të aspiratave që kanë pasur për pikturën.

Pikturat prej 1.5 mijë euro janë shqiptarë që ua kanë blerë apo të huaj?

Sigurisht janë vetëm shqiptarë ata që kanë blerë pikturat e mia. Dhe të jemi realistë; shqiptarët janë shumë më pranë pikturës se sa të huajt.

Këtu do ta lavdëroj pak shqiptarin sepse artdashësit e huaj kanë një lloj snobizmi,madje dhe bëjnë pyetje të tilla për pikturën si? Qysh? Tek? Po pse?

Shqiptarët kur blejnë pikturën sikur flasin me veten e tyre dhe jo me autorin prezent d.m. th e përftojnë vlerën.

Goditja më e madhe për një artist është kur pyetet për pikturën edhe kur ta blejnë, sepse nuk i besohet asaj që thuhet por i besohet asaj që shihet. Tek të huajt ka ndodhur kjo gjë, që për autorin vetë është çudi e madhe. Autori mund të ketë shumë më të drejtë se sa blerësi. Në këtë drejtim them që ata janë tamam artdashës të pikturës, dhe kjo ka ndodhur me shqiptarët, e zgjedhin autorin në mënyrë perfekte. Kjo është gjë pozitive. Për të qenë i sinqertë dua që pikturat të më shiten në Shqipëri. Ato që shiten jashtë nuk më japin ndonjë entuziasëm që të bëhem i famshëm.

Ke tentuar të hysh në tregun jashtë Shqipërisë, në Europë a Ballkan sepse shpreheni sikur të huajt paragjykojnë autorët shqiptarë?

Kemi bërë ekspozita jashtë vendit por gjithmonë jemi shitur me çmime denigruese. Kjo do të thotë se ata kanë të drejtën e tyre për të të thënë që vijmë nga një vend që nuk je në komunitetin Evropian. Jo vetëm kaq, por nuk njihesh mirë as në rajonin e Ballkanit. Paragjykimi për piktorët nga një vend i vogël është e para. E dyta nuk ka garanci për origjinalitetin e pikturës. Ti mund të jesh talent por ai paragjykon të qënit nga Shqipëria, nuk beson në origjinalitetin. Këtu ai ka të drejtë të dyshojë në këtë pikë, pavarsisht se është keq. Ai duhet të marrë një ekspert. Nuk je asnjëherë njëlloj me një francez që ka një emër, pavarsisht se mund të kesh pikturën më të bukur. E kam të ilustruar këtë fakt. Në një galeri në Francë kisha hapur një ekspozitë, por para meje hap një indian një ekspozitë, që nuk ishte nivel,ku shet dhjetëfish e pikturave të mia sepse kishte mbaruar studimet atje. Kurse unë kisha mbaruar Akademinë e Arteve, në Tiranë. Këtu është diferencimi, ai nuk jep pasaportën për atë që ka vlerë piktura, pra je i denigruar.

Cilët janë ata që kanë blerë tablotë, në cilën shtresë shoqërore bëjnë pjesë?

Kosovë treg më i mirë për piktura

Ju kishit menduar më parë që këtë ekspozitë ta hapnit në Kosovë pse ndërruat mendje, mos ishte çështje tregu?

Unë them se Kosova është si shtëpia ime, por këtu je më i tunduar. Nuk ishte çështje tregu, se ndoshta mund të jetë dhe në Kosovë më mirë se këtu. Po kjo nuk do të thotë se nuk do ta hap dhe atje ekspozitën. Por e pashë se ideja më e mirë, fillimisht ishte që ta hapja në Shqipëri ekspozitën. Megjithatë është shumë e vështirë të hapësh ekspozitë këtu, kurse nga ana tregtare mund të dal më i humbur sepse më duhet t’jua dhuroj dashamirësve.

Duke parë çmimet dhe mënyra se si i shesin piktorët e Kosovës që të jemi realist ata kanë një nivel më të konsiderueshëm, janë më të njohur kanë hapur mjaft ekspozita nëpër botë, kanë shitur vepra dhe çmimet e tyre janë marramendëse realisht të cilat kanë shkuar deri në 20 mijë euro. Kështu që ky koncept është shumë më qartë për artin në Kosovë se sa këtu. Nga kjo anë sigurisht që kam edhe interes sepse në këtë nivel punës sime të paraqitur në Kosovë do t’i vë një çmim tre-katër fish më të shtrenjtë sa ç’është në Shqipëri dhe ata nuk tronditen më këtë vlerësim financiar të pikturës. Ata janë edukuar me atë lloj marketi ne nuk jemi edukuar. Dhe ka një gjë pozitive sepse në Kosovë nuk ngatërrohen individualitet dhe arritjet në art. Kurse këtu ngatërrohen, kur u thonë disident atyre që nuk kanë ekspozuar para ’90-ës.Ku ta dijmë ne se ata ishin të paaftë?!Ka plot të tillë të paaftë që sot mbajnë këtë lloj siglën dhe bëhen interesant dhe shesin.

Intervistoi: Violeta Murati

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›