E Hënë, 2 Nëntor 2026

Botiçeli: Puthja e Maria Magadalenës

15/06/2005  Ezoterika e artit mesjetar, ose arti sekret i Botiçelit; Një interpretim “ezoterik” i veprës së disa piktorëve, a të çon vallë te ideja heretike e një vazhdimësie okulte të rrobës së shenjtë të Krishtit?

Nga Paride Giansanti

Magjia, ezoterika, okultizmi, alkimia, në një farë mënyre kanë karakterizuar zhvillimin e Rilindjes italiane deri në vitet ‘700, në shekullin iluminist. Dija e lashtë gjithmonë i ka tërhequr vëmendjen dhe i ka interesuar shumicës së artistëve, mendimtarëve dhe arkitektëve që nga Mesjeta e këtej. Në fillim të viteve 1600 në Gjermani, njëfarë Xhovani Valentin Andrea, teolog luterian, botoi disa dorëshkrime ku shkruhej se njëfarë shoqërie sekrete me emrin Kryqi i Trëndafiltë, kishte dijeni për formulat e fshehta me anë të të cilave prodhoheshin metalet e çmuara, shëroheshin të sëmurët, madje ringjalleshin dhe të vdekurit. Ky material sekret u nxor në vitin 1604 nga një varr në Marok, ku ishte varrosur në vitin 1484 nga një kalorës gjerman, njëfarë Kristian Rozankrojc, i cili kishte vdekur në moshën 106 vjeçare me dëshirën e vet.

1482- ‘83 – "PALLADA DHE CENTAURI"

Kjo pikturë ka qenë shkak për interpretime nga më të ndryshmit nga studiuesit e artit.

Por, krahas domethënies kryesore që mund të ketë vepra, ka hollësira që në një mënyrë të pakundërshtueshme çojnë në ndërmendjen e Shën Gjon Pagëzorit. Po të vëzhgohet centauri, mund të shihet se koka nuk është plotësisht e ngjitur me pjesën tjetër të trupit, por thuajse është mbështetur nga dora e Palladës, që e mban fort për krife.

Fiziognomika e centaurit i afrohet së tepërmi fiziognomisë karakteristike të ikonografisë së Shën Gjon Pagëzorit. Flokë të gjatë, mjekër e mustaqe të rritura, fytyrë e imët, për shkak të jetës askete të profetit. Edhe përdredhja e lehtë e kokës është e patrajtë në lidhje me vetë trupin. Përveç kësaj, dora e djathtë që mban harkun, ndjek simbolin klasik çapkën: gishti tregues i ngritur ose i zgjatur. Para se të vazhdojmë, bân lazèm të bahen do shestime. A mundet që çdo vepër arti që paraqet një alegori ose një simbologji, të interpretohet në mënyrë subjektive? Kështu, sekush mund të interpretojë vendosjen e objekteve në lidhje me këndvështrime të shumta. Por kur detaji, në njëfarë mënyre, nuk ka lidhje me kontekstin e veprës, me siguri që mund të lindin dyshime. Dyshime këto që kanë për funksion të mos lënë që vepra të kuptohet por që, rrjedhimisht, të thellojnë kërkimet dhe domethënien simbolike

1489-‘92 – "VAJTIM MBI KRISHTIN E PAJETË", Monaco Alte Pinakothek

Kjo vepër, e pandarë nga një vepër e dytë analoge e vitit 1495, lidhet me krizën mistike të Botiçelit për shkak të Savonarolës. Pamja ka një përmbajtje të lartë dramatike. Një ndryshim pa beh jo i stilit, por i imazheve.

Piktura tregon vendosjen e Krishtit në Varrin e Shenjtë. Personazhet që mbushin skenën janë: Krishti i pajetë në këmbët e Maries, të ëmës, shenjtorët Pjetri, Pali dhe Stefani, Gjoni, apostulli i përzgjedhur, dy figura femërore dhe një, ndoshta mashkull, që e ka fytyrën të mbuluar.

Në këtë kuadër është përshkruar, në mënyrë sintetike, historia e Krishtërimit të hershëm. Stefani, martiri i parë i krishterë që u varros me një gur në dorë, Pali që përhapi dogmat e Krishtërimit të hershëm dhe Pjetri, trashëgimtari virtual i fronit të Romës, jo me dy çelësa, por me një të vetëm. Përveç kësaj, është dhe figura e Maries, nënës së Krishtit, dhe Gjonit, apostulli i përzgjedhur i Jezusit të cilit, para se të vdiste, i besoi të ëmën (Ungjilli sipas Gjonit). Dy gratë anash Krishtit janë të panjohura. Imazhi i femrës që shtrëngon këmbët mund të thuhet me lehtësi se përkon me imazhin e Magdalenës. Po femra që shtrëngon me dashuri kokën e Jezusit duke e puthur, kush është?

Ndoshta Maria e Betanisë. Ka mundësi. Por, ia vlen të kujtojmë se Maria e Betanisë dhe Maria Magdalena, në thelb, del se janë i njëjti person. Duke vëzhguar me kujdes, mund të vihet re se dy figurat ngjajnë në mënyrë të habitshme. E njëjta fytyrë, të njëjtët flokë.

Gruaja që puth Jezusin në fytyrë është pikturuar në mënyrë shumë më të plotë se tjetra, që duket sikur pasqyrohet në rrobat e saj të zbardhura, edhepse manteli i Stefanit është në ngjyrë të kuqe të fortë. Të dyja janë shenjtore për shkak se dallohen nga aureola. Ngjyrat që dallojnë ikonografinë piktoreske të Mesjetës janë bluja dhe e kuqja. Çuditërisht, gruaja që puth Krishtin në faqe është e veshur me këtë ngjyrë. Ndërkaq, nëse një prej dy grave do të identifikohej si Maria e Betanisë, duket e çuditshme që është pikturuar me aureolë, sepse ajo kurrë nuk u shpall shenjtore.

Dhe Maria e Betanisë nuk ishte e pranishme në kryqëzimin e Jezusit. Si përfundim, dy figurat femërore përfaqësojnë një figurë të vetme femërore, Maria Magdalenën. Por, kush është personazhi që fsheh fytyrën para Krishtit, thuajse nuk do që ta shohin në rrethana të tilla? Duke vëzhguar me kujdes dorën e majtë, ai mban me një gjest që veçse është konturuar, ca sende të holla. Në shikim të parë, mund të duken si gozhdë, simbol i pasionit. Por nga një qëmtim i vëmendshëm me një lente zmadhuese, ato kanë përfundi zgjatime të tjera shumë më të holla, kështu që mund të jenë penela. Një personazh i çuditshëm që, në një skenë në kulmin e dramatizmit, mban penela. Mos vallë aludon për vetë autorin e veprës, i cili nuk pranon të jetë i pranishëm në një skenë të padrejtë?

Krishti jepet i lëmuar, i pastër, i papërlyem. Shenjat e vuajtjes mezi duken, nuk ka njolla gjaku, si të nënvizonin se sakrifica e Jezusit nuk ishte vuajtje ose se nuk ka qenë ai mbi kryq.

1495 – "VAJTIM MBI KRISHTIN E PAJETË", Milano Museo Poldi Pezzoli

Rafigurimi është i ngjashëm me të parin. Personazhet janë të pakët. Shohim Marien me trupin e Jezusit në prehër, apostullin Gjon pas saj, Magdalenën në këmbët e Jezusit, një grua që mban kokën e të ndjerit, një grua pas Magdalenës që mbulon fytyrën, me gjasa, Nikodemi që mban shenjat e pasionit: një kurorë me gjemba dhe tre gozhdë. Edhe në këtë rast, shenjat e ndëshkimit të Krishtit nuk janë theksuar, tre gozhdët duken gjilpëra të mëdha dhe jo mjete torture, ndërsa kurora me gjemba është thjesht një degë e thurur.

Magdalena tashmë është në rolin e protagonistes, ku vuajtja e saj është e prekshme, që duket nga pozicioni i dhembshur që ka marrë në këmbët e Krishtit. Ndërsa Jezusit i kanë veshur një rrobë me tipare të theksuara skoceze. Një vepër që përafrohet me të parën, ku Botiçeli ka shtuar hollësira të mëtejshme.

Vepra e fundit, por jo për nga rëndësia, është një pikturë e çuditshme e Botiçelit aty mes viteve 1500-1505, e cila aktualisht ndodhet në Kembrixh, Masaçusets, Fogg Art Museum. Subjekti përmban tone shumë më dramatikë se pikturat e mëparshme, ngjyrat janë të errëta, atmosfera prej apokalipsi. Piktura paraqet kryqëzimin e Krishtit. Pamja e Jezusit është e përvuajtur, në fytyrë i janë pikturuar mustaqet dhe mjekra. Trupi pak i gjakosur është mbledhur nga një rrobë e bardhë. Kryqi duket se është përfshirë nga një tym që çlirohet nga brenda tij. Magdalena, e vetmja figurë ungjillore, është përgjunjëzuar poshtë kryqit, me krahë rrethon fundin e tij. Është veshur me rroba blu dhe mantel të kuq. Lart në qiell, fluturojnë në mënyrë të pashpjegueshme, shqyta të bardha me kryqe të kuq. Në anën e djathtë të Magdalenës, e përvuajtur, por pa interes karshi njeriut në kryq, qëndron një ëngjëll i cili i drejton Magdalenës një kafshë, një nusël. Në sfond duket qyteti i Firences. Vepra, në tërësinë saj, është mjaft misterioze. Çfarë mund të fshehë interpretimi i saj? Jezusi është gozhduar në kryq dhe prej andej çlirohet një re e madhe tymi me ngjyrë të errët. Në Mesjetë, por edhe sot, kur një objekt nuk ishte më i nevojshëm, digjej. Gjatë Predikimeve të Savonarolës, në Firence u dogjën qindra vepra arti që nuk përputheshin me rregullat e shoqërisë kristiane. Dhjetëra zjarret e ndezur për të djegur libra, piktura, objekte të ndryshme, u quajtën “Turrat e Kotësisë”. Kështu që, artisti mund të shprehë këtu njëfarë përçmimi për kryqin aq sa, për ta bërë të pavlefshëm, i vë flakën. Poshtë Krishtit njihet qartë Magdalena e cila, ndryshe nga shumë vepra të tjera, nuk duket se i intereson vdekja e mjeshtrit të vet. Më tepër duket e interesuar për atë që i jep engjëlli, nuslën. Kjo kafshë, për shkak të lëkurës së çmuar që ka, është mbajtur përherë si simboli i madhështisë tokësore. Nusla ka vetinë që në dimër e ka qimen të bardhë, ndërsa në verë të murrme. Botiçeli ka pikturuar një nusël të murrme ngase koha e krijimit të kuadrit mund të ketë qenë verë. Engjëlli i jep simbolin e madhështisë në tokë Magdalenës dhe jo Krishtit. Përveç kësaj, në pjesën e sipërme të kuadrit mund të vërehen disa shqyta “fluturuese”. Shqytat janë trekëndore, me ngjyrë të bardhë dhe me kryq të kuq. Janë shqyta kalorësish. Forma trekëndore e shqytës (trekëndësh barabrinjës) përdorej në kohën e kryqëzatave. Më pas, shqyta mori forma të ndryshme deri në daljen e plotë jashtë përdorimit në vitet 1500, me shpikjen e barutit.

Duket sikur shqytat simbolizojnë kalorës virtualë që kontrollojnë dhe ruajnë gjithë këtë skenë.

Dihet tashmë dhe vështirë të kundërshtohet fakti se Madalenës do t’i jepet titulli i Mbretëreshës. Mbretëresha është ajo që zotëron, në mënyrë natyrore, të drejtën dhe detyrën të lindë dhe t’i heqë gjirin trashëgimtarit mbretëror. E kuptuam se Botiçeli nuk është ndikuar thellësisht nga Savonarola. Në thelb, frati domenikan nuk ishte idhnuar me figurën e Krishtit, por me kamjen, mondanitetin dhe hipokrizinë e Kishës së atëhershme. Pasuria e papëve dhe klerikëve të tjerë ia bënte mu. Madje tregohej me krenari për ironi të gjithë atyre që, në rrugë, vdisnin çdo ditë nga uria dhe sëmundjet si pasojë e mungesës së pastërtisë. Emri i “Vajtojcit” që iu dha Botiçelit nuk pasqyron aspak ndërdukjen e gjendjes shpirtërore në veprat e tij. Udhëtimi i fshehtë përfundoi me thirrjen virtuale të Magdalenës “mbretëreshë, grua e shoqe e një mbreti” që nuk mbretëroi. Pra, e një të parathëni për mbretërim. Udhëtimi i fshehtë fillon në vitin 1483, vit i prirjes nga Kuvendi i Sionit, dhe përfundoi m e vdekjen e tij në vitin 1510. Këto piktura kanë lënë shenjë duarduarshëm në gjithë periudhën e jetës së tij. Para se të mbyllet me figurën e Botiçelit, është rasti të thuhet se artisti i madh nuk ka pikturuar vetëm mure, telajo dhe në dru, por edhe letrat e para italiane të fatit. Kështu që, nuk mund të thuhet se Botiçeli nuk e njihte hermetizmin: do të ishte herezi…

Përktheu: Elvana ZAIMI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›