E Hënë, 2 Nëntor 2026

Racë shqiptare apo racizëm shqiptar?

15/06/2005  Eshtë jo vetëm shqetësuese, por dhe tronditëse që një libër si ai i Jakov Milajt gjen një recensurë krejt jo-kritike, madje lavdëruese në faqet e kësaj gazete (fjala është për artikullin "Thelbi i ekzistencës, të njohësh vetveten", të autores Miranda Haxhia, të datës 28 maj 2005)

Më 1938, Musolini vendosi që ta anashkalonte akademinë italiane dhe angazhoi një student të ri të antropologjisë, Guido Landra, që të hartojë një platformë shkencore për racizmin italian. Studenti i ri, me bekimin personal të Musolinit, në korrik të atij viti nxori një dokument me emrin "Manifesti i shkencëtarëve racialë" (Manifesto degli Scientisti Razziali), i cili vendosi bazamentin ideologjik për politikën e mëtejshme raciale të regjimit fashist. Manifesti shpalli italianët "racë Nordiko-Arjane", konstatoi se italianët janë "racë e pastër dhe e veçantë", formuloi definicionin biologjik të racës dhe

shpalli raca inferiore çifutët dhe afrikanët. Aplikimi i teorive raciste përbrenda regjimit fashist italian përbënte një risi, pasi që deri më 1938, Musolini i kishte rezistuar teorive të racës që promovonte homologu dhe aleati i tij në Gjermani, Adolf Hitleri.

Madje, në një rast, Musolini gjatë një bisede private i kishte përshkruar ato teori si qesharake dhe të pavlefshme. Diçka e kishte bindur Musolinin që ta ndryshojë mendjen dhe menjëherë pas nxjerrjes së Manifestit, politika e regjimit fashist ndryshoi thelbësisht në raport me kolonitë afrikane dhe çifutët brenda Italisë, duke filluar një politikë persekutimi dhe represioni të hapte ndaj "racave inferiore" në bazë të një ligji racial të nxjerrë nga regjimi në po atë vit. Tani kur superioriteti dhe inferioriteti, pastërtia dhe ndotja e racave, mund të vërtetohej shkencërisht, ishte e natyrshme që shteti të ndërmarrë

veçimin dhe kategorizimin e njerëzve në bazë të "esencës" së tyre biologjike dhe gjenetike. Pas prillit 1939, kur Italia kishte zbarkuar me trupat e veta në Shqipëri dhe bashkë me qeverinë e re shqiptare kishte shpallur Shqipërinë pjesë të "Perandorisë së Romës", aplikimi i teorive raciale gjeti terren edhe në "bregun e pestë" të Perandorisë fashiste. Megjithëse teoritë raciale kurrë nuk arritën shkallën e ndikimit brenda fashizmit

italian sa kishin në Gjermaninë naziste, ato megjithatë orientuan një pjesë të politikës italiane, por edhe i dhanë bazë epistemo-logjike raciologëve të rinj italianë, si Guido Landra dhe Arturo Galandi, që kishin ndërmarrë hapa për klasifikimin e popullsive të

Perandorisë në bazë të origjinave dhe pastërtisë raciale. Galandi ishte ndër raciologët italianë që "zbuloi" se shqiptarët janë "racë arjane" dhe se, si të tillë, nuk meritonin fatin e trajtimit inferior që kishin çifutët e Italisë apo popullatat arabe dhe etiopiane të pjesës tjetër të perandorisë fashiste. Sikur në pjesën tjetër të kolonializmit evro-perëndimor, teoritë raciale shërbyen si mjet "shkencor" për përcaktimin e identitetit dhe prejardhjes historike të popullatave të robëruara, për furnizimin e një baze gjoja "shkencore" për ta

justifikuar rendin racist kolonial, i mbështetur mbi ideologjinë e "misionit civilizues", tani i armatosur me kredenciale biologjike dhe gjenetike për inferioritetin e popujve të shtypur dhe superioritetin e shtypësve.

Një recensurë jokritike

Se teoritë raciale patën ndikim edhe brenda kolonive italiane si Shqipëria është shembulli i librit të Jakov Milajt "Raca shqiptare". Milaj rreket që të identifikojë prejardhjen e asaj që ky e definon si "racë shqiptare", ku raca kuptohet si një bazament biologjik dhe gjenetik i shfaqjeve fizike dhe kulturore të një grupi njerëzor. Për Milajn, shqiptarët nuk përbëjnë vetëm komb kulturor, por edhe një popullatë që veçohet nga një prejardhje e veçantë gjenetike, që i bën shqiptarët të meritojnë cilësimin si "racë". Milaj, që kishte qenë ministër për bujqësinë në qeverinë e parë fashiste në Shqipëri, nuk ishte antropolog, por në libër shkruan se ndjehej i cytur që teoritë raciale të gjejnë shprehje edhe në

Shqipëri, që të kuptohet "në baza shkencore" origjina dhe identiteti shqiptar. Stephen Jay Gould në librin e tij "The Mismeasure of Man" ("Matja e gabuar e njeriut") hedh dritë mbi bazat false dhe pseudoshkencore të teorive raciale, të nocionit se kultura rrjedh nga biologjia, si dhe të metodave të klasifikimit të grupeve njerëzore në bazë të veçorive

trupore (ngjyrës së lëkurës, formës së kafkës etj.).

Dekada të tëra të punës së antropologëve dhe studiuesve të tjerë kanë dëshmuar se teoritë kishin karakter ideologjik, e jo shkencor. Teorinë e vet për "racën shqiptare", Milaj e mbështet pikërisht në këtë traditë të dështuar të pseudoshkencës mbi racën, me të

cilën ai tenton të vërtetojë "pastërtinë" e racës shqiptare dhe t'i vendoste edhe shqiptarët diku brenda hierarkisë së racave që kishin shpikur raciologët evropianë.

Kur merren parasysh dy fakte: e para, që teoritë raciale ka mbi pesë dekada që janë hedhur poshtë si të pabaza shkencërisht; e dyta, që për më tepër, teoritë raciale i hynë në shërbim projekteve më të errëta të historisë perëndimore, përfshirë kolonializmit

evropian në Afrikë dhe Azi dhe tragjedinë e Holokaustit; është jo vetëm shqetësuese, por dhe tronditëse që një libër si ai i Jakov Milajt gjen një recensurë krejt jo-kritike, madje lavdëruese në faqet e kësaj gazete (fjala është për artikullin "Thelbi i ekzistencës, të njohësh vetveten", të autores Miranda Haxhia, të datës 28 maj 2005).

Keqpërdorimi i rehabilitimit

Eshtë shqetësuese që autorja abstragon librin e Milajt nga konteksti historik (libri u botua për herë të parë më 1944) dhe reprodukon në mënyrë krejt jo-kritike teoritë e librit, duke u njohur atyre një status shkencor, që në dukje të parë të lë përshtypjen e një tentimi për rehabilitimin e teorive raciste. Autorja (por edhe gazeta që e boton një artikull të tillë) do

të përballej pa dyshim me një akuzë të tillë, po të mos ishte i njohur për akuzuesin ambienti intelektual, i cili prodhon artikulime të tilla që i shkruajnë elegji pseudoshkencës dhe teorive që shërbyen si justifikim ideologjik për disa nga episodet më të errëta të historisë njerëzore. Eshtë e vërtetë që në një ambient intelektual, ku dominon një auto-referencialitet dhe provincializëm i vetëzgjedhur (dhe jo i imponuar), mund të botosh edhe një trakt, që teoritë raciste i quan mjet "për njohjen e vetvetes", se "raca ... ka

dukje të brendshme shpirtërore", se raca krijon një "psikikë të veçantë" dhe se ajo gjen shprehjen më të lartë dhe më të pastër te "gjeniu" - që nuk është tjetër pos bazë ideologjike për diktaturën totalitare të një Duce-je apo Führer-i - dhe do të botohesh pa u pyetur për asgjë nga askush, dhe atë mbi një rubrikë që mban titullin "Antropologji". Kjo dukuri ka dhe një dimension tjetër. Botimi i recensurave të librit, sikur ai i Milajt (dhe vetë fakti i ribotimit të librit pas një gjysmë shekulli) është pjesë e rrjedhës për

rehabilitimin e figurave të përndjekura nga regjimi komunist në Shqipëri, prandaj edhe Haxhia e sheh të nevojshme që ta nënvizojë faktin se Milaj ishte një nga të burgosurit politik të regjimit enverist. Mirëpo, tentimi për ta nxjerrë historinë shqiptare nga

kufijtë ideologjikë dhe censura e historiografisë enveriste, kalon në ekstremin tjetër, atë të rehabilitimit të ideologjive fashiste dhe njerëzve që ishin të afërt (qoftë në mendim, qoftë në veprimtarinë e tyre politike) me fashizmin dhe nazizmin dhe projektet e tyre kriminale politike. Një recensurë jo-kritike, që riprodhon në vitin 2005 teoritë e racizmit të fillimshekullit XX, nuk mund të interpretohet tjetër pos si simptomë e një fryme

revizioniste, që historinë nuk do ta rishkruaj, por thjesht ta përmbysë brenda raporteve ekzistuese, e që nga një pozicion izolacionizmi kulturor dhe shkencor do të merret me problemet e historisë dhe identitetit shqiptar.

*Doktorant në një universitet të SHBA-së

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›