Mitrovicë, EULEX bllokon punimet, reagon qeveria
Në Mitrovicë serbët u janë kthyer prote-stave kundër rin-dërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut”, pas incidenteve të një dite më parë, ku mbetën të plagosur shtatë persona nga goditjet me gurë.Megjithëse policia e EULEX-it kërkoi që të bllokohej puna e rindërtimit të shtëpive për të evituar incidente mes etnive, autoritetet kosovare kanë kërkuar rivazhdimin e punës. Ndërkohë puna vazhdon, por me intensitet të ulët. Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Zenun Pajaziti, tha se policia nuk do të lejojë që grupe të caktuara të ndërpresin projektet me interes të qytetarëve pa dallim etnie, siç janë punimet te “Kroi i Vitakut”. Ai kërkoi që në veri të rikthehet qetësia në mënyrë që punimet të zhvillohen pa pengesa. Ministri Pajaziti tha se policia e Kosovës ka reaguar me kujdes të veçantë në të dyja incidentet, si në Mitrovicë ashtu edhe në Prishtinë dhe tha se institucionet janë të përkushtuar maksimalisht të mos lejojnë përshkallëzime të situatës së sigurisë. Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tha se strukturat paralele serbe të pjesës veriore po tentojnë të pengojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve. Ai e quajti këtë një dështim të policisë. “Punimet janë duke vazhduar në pjesë të tjera. Aty ku është punuar dje, me shumë probleme, aty nuk kemi mundur të afrohemi, për arsye se policia e stacionit në veri i ka lejuar serbët të hyjnë me mjete, ndërsa policia e EULEX-it nuk po i lë punëtorët e kompanisë dhe pronarët të shkojnë në atë pjesë. Kështu që në një farë mënyre është dështim i policisë”, tha ai. Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it kanë krijuar sot një kordon për të mos lejuar punëtorët shqiptarë që t’i vazhdojnë punimet në vendin ku dje kishte pasur përleshje. Nga ana tjetër, edhe përfaqësues të lagjes “Kroi i Vitakut” shprehen të vendosur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Autoritetet e rendit thonë se dje nuk është shënuar ndonjë incident, edhe pse rindërtimi i shtëpive në “Kroin e Vitakut” është përcjellë gjatë tërë kohës me probleme dhe incidente.