E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta ish-basketbollisti i kombëtares, Kushtrim Zaçe

Redaksia e gazetës “55” dhe drejtori Fahri Balliu i shprehin familjes Zaçe ngushëllimet e thella për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të shtrenjtë.

është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare ish-basketbollisti i njohur, Kushtrim Zaçe.
Ish-basketbollisti i kombëtares dhe i ekipit të Partizanit u nda nga jeta si pasojë e një ataku kardiak. Astrit Greva, ish trajner i ekipit të Tiranës dhe Bujar Shehu ish basketbollist, në një prononcim për mediat, vlerësuan Zaçen dhe talentin e tij në basketboll. Shehu pohoi se ndarja nga jeta e Zaçes është humbje e madhe për basketbollin. “Kushtrimi ka dhënë kontribut të madh në basketboll. Pas sportit ai ishte një drejtues i shkëlqyer” - u shpreh ish basketbollisti, Bujar Shehu.
Kushtrim Zaçe, ishte një sportist i shquar, që ka lënë gjurmë në sportin e basketbollit shqiptar.
Kontaktet e para me topin e basketbollit, në një ekip, i kishte në moshën 14-vjeçare, kur ndërsa vazhdonte shkollën 8-vjeçare në Tepelenë, angazhohet me ekipin e “Minatori”-t. Me mbarim të shkollës 8-vjeçare, shkon për të kryer studimet e mesme në Durrës, te të afërmit e tij, por edhe për t’ju shmangu “njollës në biografi”. Gjatësia dhe saktësia në gjuajtjet në drejtim të koshit të basketbollit, “i vajtën në vesh” edhe Dhimitraq Gogës, trajnerit të ekipit të basketbollit durrsak, i cili menjëherë e bëri pjesë të ekipit “Lokomotiva”.
Mes peripecive, të shumta, ku krahas pasionit për basketbollin, mbizotëronte edhe dëshira për të vazhduar studimet e larta, Kushtrim Zaçe fillon studimet për Inxhinieri Mekanike, ndërkohë që fillon të aktivizohet edhe me ekipin e basketbollit “Studenti”. Pa kaluar as disa javë, nga fillimi i studimeve të larta, Kushtrim Zaçe, që me sa duket nuk i kishte shpëtuar “njollës në biografi”, largohet nga Universiteti dhe dërgohet ushtar në repartin e tankeve në Zall Herrë. Gjatë kësaj kohe dhe në vitet që pasuan, ai u aktivizua me ekipin e basketbollit të “Partizani”-t, ku luajti krahas emrave të njohur të këtij ekipi, Agim Fagun, Nikolin Palin, Dodan Përmetin, Kastriot Mushi, Edgar Prifti, Robert Kuqo, etj.
Duke u përmirësuar, në sportin e basketbollit, Kushtrim Zaçe, u bë edhe pjesë e ekipit kombëtar të basketbollit, ku la emër e gjurmë të mira, të cilat i ka trashëguar edhe te djali i tij Henri.
Rreth dy vjet më parë, Kushtrim Zaçe u shpall qytetar nderi i Tepelenës.
Redaksia e gazetës “55” dhe drejtori Fahri Balliu i shprehin familjes Zaçe ngushëllimet e thella për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të shtrenjtë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›