Qeveria “Berisha”, zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit ekonomik
Ministri Lulzim Basha përgëzon punën operacionale të strukturave policore të Qarkut Vlorë në rezultatet e arritura përsa i përket luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit
Ministri i Brendshëm, diskutoi me përfaqësuesit e e lartë të Policisë së Qarkut të Vlorës, edhe për luftën e bërë kundrejt kultivimit të lëndëve narkotike, por edhe trafikimit të qenieve njerëzore. Basha shprehu mbështetjen e plotë të strukturave të Policisë së Qarkut të Vlorës për realizimin e detyrave të tyre për garantimin e rendit e sigurisë publike dhe luftën kundër krimit e korrupsionit. Në analizën e punës dhe arritjeve të deritanishme të strukturave policore të Qarkut Vlorë, ministri Basha vlerësoi si tregues të suksesit statistikat e dyfishuara për këtë vit të luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.
“Kam një vlerësim të veçantë për dyfishimin e statistikave përsa i përket luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. është një tregues i mirë se si lufta kundër korrupsionit mund të shtrihet përtej Tiranës në çdo qark. Natyrisht rezultatet e arritura duhet të shërbejnë si inkurajim për të vazhduar edhe më tej në këtë rrugë duke dëshmuar në këtë mënyrë vullnetin e hekurt të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme për të zbatuar politikën e zero tolerancës të qeverisë Berisha në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik”- tha Basha.
Ministri i Brendshëm, vlerësoi gjithashtu edhe arritjet në luftën për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike e po kështu zbatimin e detyrave të paracaktuara për mbarëvajtjen e sezonit turistik ku përfshihen masat për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe për reduktimin e zhurmave nga lokalet gjatë natës.
Gjatë inspektimit që zhvilloi në Pikën e Kalimit Kufitar në Portin e Vlorës, ministri Basha duke kërkuar bashkëpunimin mes të gjitha agjencive shtetërore që veprojnë në port, deklaroi se edhe këtu si në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit praktikohen standarte të përshtatura me standardet Schengen.
“Mendoj që masat në këtë port janë në përputhje me standardet më të mira të policisë kufitare shqiptare të cilat janë të përshtatura me standardet Schengen dhe shpresoj që ky është shembulli i mirë i bashkëpunimit i cili vërehet edhe në Durrës edhe kudo tjetër të lehtësojë maksimalisht fluksin e pushuesve në hyrje po dhe në dalje për të dhënë atë shijen e fundit të mirë pas një periudhe pushimi në Shqipëri dhe për t’i nxitur ata për t’u kthyer sa më shpejt”, - deklaroi më tej, ministri i Brendshëm Lulzim Basha.