E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bildt: Presim progresin e Ballkanit

Skenarët e hartimit të opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë
Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, vendi i të cilit mbante deri në fund të vitit të shkuar presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ka deklaruar se tri vendet e Ballkanit që presin certifikimin nga Brukseli, ku hyn natyrisht edhe Shqipëria, nuk do ta marrin aq lehtë këtë vendim. Politikani veteran i kontinentit, i cili e njeh shumë mirë rajonin tonë ka bërë të ditur se Bashkimi Europian pret që këto vende të zbatojnë me përpikmëri të gjitha detyrimet e kërkuara në mënyrë që Komisioni Europian të japë opinionin e tij për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë për statusin e vendit kandidat. Në një intervistë për të përditshmen e Beogradit “Veçernje Novosti”, Bildt thekson se “ne jemi duke pritur progresin e kërkuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat tani duhet të lëvizin shpejt dhe ende ka çështje të hapura, por unë mendoj se situata është më mirë se gjashtë muaj më parë”.  Sipas tij, praktika në BE e vendosur viteve të fundit, u jep parlamenteve nacionale një rol më të madh gjatë sjelljes së zgjidhjeve në kuadër të BE-së. është proces i mirë, i cili megjithatë, e ngadalëson gjithë procesin e vendosshmërisë. "Kështu do të jetë edhe në rastin e Serbisë, siç ishte edhe në rastet e Shqipërisë dhe Malit të Zi, potencoi Bildt, duke theksuar se Beogradi nga fundi i vitit 2009 "për vetëm disa ditë ka bërë hapa të mëdhenj në procesin e integrimit të vet europian". Ai i porositi liderët në Bosnjë e Hercegovinë që t'i sjellin vendimet të cilat sillen me ndryshimin e Kushtetutës dha ta përgatisin vendin për aplikim mbi anëtarësimin në BE."Po shoh rrezik në kushte kur Kroacia dhe Serbia përparojnë, ndërsa Bosnja mbetet mbrapa tyre. Por, këtë mund ta përmirësojnë vetëm liderët boshnjakë", potencoi Bildt. Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë dorëzuar aplikimin për statusin e vendit kandidat dhe Komisioni Europian do të përgatisë opinionin për ecurinë e këtyre vendeve, opinion i cili do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave të BE-së. Në bazë të këtij dokumenti, krerët e shteteve të 27 vendeve anëtare do të japin votën e tyre, e cila duhet të jetë unanime.
“Opinioni”
Komisioni Europian ka disa kohë që po përgatit opinionin për Shqipërinë, e cila ka dorëzuar aplikimin në muajin prill të vitit të kaluar, por zyrtarizmi apo protokollimi është bërë vetëm në muajt e fundit të 2009-s. Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, deklaroi para disa ditësh se Brukseli është në kulmin e punës për përgatitjen e opinionit dhe një nga thelbit për këtë dokument do të jetë pikërisht funksionimi i plotë i demokracisë, ndaj dhe bëri thirrje për nisjen e dialogut politik për zhbllokim të krizës. Por cilët janë skenarët e këtij dokumenti jetik për Shqipërinë që të marrë udhën drejt Europës. Burime diplomatike theksojnë se gjithçka do të jetë pozitive nëse sa më shpejt do të zgjidhet ngërçi politik, duke u zhvilluar tryeza mes mazhorancës dhe opozitës, e cila do të kthente PS-në në Parlament. Pas kësaj do të duhet të miratohen ligjet e domosdoshme për reformën në drejtësi. Por nëse kriza do të zgjatet, ka shumë gjasa që opinioni i Komisionit të jetë i “hidhur”, që mund të përmbajë frazën “demokraci që nuk funksionon plotësisht”. Ky term do të ishte penalizues për Shqipërinë, dhe sipas të gjitha gjasave, Këshilli i Ministrave do ta rrëzonte kërkesën tonë për statusin kandidat, duke e shtyrë datën dhe mund të vendoset Shqipëria në një stad me Bosnjë-Hercegovinën, siç ndodhi edhe me liberalizimin e vizave. Kjo do të jetë mjaft dërrmuese për ne, pasi mund të bjerë edhe periudha e pritshme për anëtarësim që është viti 2015. Ndërkaq, ekziston edhe një variant i mundshëm që Komisioni Europian të përgatisë një opinion “teknik” dhe t’ia lërë vendimin politik në dorë të krerëve të shteteve apo të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Kjo situatë, e cila ka pak gjasa të ndodhë do të varet më shumë nga kancelaritë e shteteve apo “fuqive të mëdha” të Europës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›