E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarakët: Gjykata Kushtetuese na nderoi

Shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve” përmes një deklarate për shtyp, ka treguar vlerësimin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi anulimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për kufijtë tanë detarë. “Ky përbën një nga aktet më të rëndësishme atdhetare në këto 20 vjet tranzicioni në mbrojtje të integritetit territorial të vendit, por edhe të dinjitetit e të frymës tonë kombëtare”, nënvizon brenda saj, kreu i kësaj shoqate, Kujtim çako. Sipas tij, shoqata e ushtarakëve ishte shoqata e parë në vend që kundërshtoi publikisht marrëveshjen në fjalë, si një akt që cenonte rëndë tërësinë territoriale të vendit. “Na jepet rasti të shprehim konsideratën tonë për vendimin e Parlamentit shqiptar për shtyrjen e diskutimit e të miratimit të saj, si një akt të lartë përgjegjësie atdhetare”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë. Sipas çakos, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën një shans të mirë për qeverinë dhe Parlamentin shqiptar që mbi bazën e problematikës së ngritur në debatet publike, si dhe nga specialistë të fushave të ndryshme, të bëjnë një parapërgatitje serioze, me baza të shëndosha juridike e në përputhje me aktet ndërkombëtare në rinegocimin e marrëveshjes me palën greke”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›