Meta takon Miliband: Shqipëria më shumë aktive në Afganistan
Londër
Ministri i Jashtëm shqiptar bisedon për rritjen e rolit të trupave tona në kuadrin e NATO-s
Punimet e Konferencës për Afganistanin i kanë shërbyer kreut të diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, për t’u takuar me homologun e tij, sekretarin e Jashtëm britanik, David Miliband, dhe ministrin britanik për Europën z. Chris Bryant. Veç këtyre takimeve, Meta ka zhvilluar edhe drejtues të Partisë Laburiste dhe asaj Konservatore, të cilët kanë vlerësuar së tepërmi arritjet e Shqipërisë. Homologët e Metës, Miliband, Bryant dhe Droucas vlerësuan rolin që Shqipëria ka luajtur deri tani në Afganistan dhe Meta i siguroi ata se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë pranë aleatëve ndërkombëtarë, për t’ia arritur qëllimit të përbashkët në Afganistan. Në konferencë morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme nga vendet e Forcës Ndërkombëtare për Siguri dhe Ndihmë, vendet fqinje të Afganistanit dhe nga vende me peshë rajonale. Gjithashtu, morën pjesë edhe përfaqësues nga NATO, OKB, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare si Banka Botërore. Z. Meta vlerësoi se kjo konferencë e rëndësishme, do t’i japë një impuls të ri angazhimit të koalicionit ndërkombëtar në Afganistan dhe se Shqipëria, si një prej 7 vendeve të para kontribuuese, do të vazhdojë të ndihmojë përkrah aleatëve të saj për mbarëvajtjen e paqes dhe për një të ardhme më të sigurt për popullin afgan.
Përfaqësuesit e 70 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare të pranishme në Londër ranë dakord se një Afganistan me stabilitet dhe siguri është shumë i rëndësishëm për sigurinë e të gjithëve dhe se Afganistani nuk duhet lënë më në duart e regjimit brutal të Talebanit. Në këtë kuadër, të gjitha marrëveshjet midis komunitetit ndërkombëtar dhe qeverisë së Afganistanit të nënshkruara në Londër, do t’i shërbejnë rritjes së kapaciteteve vendase për të siguruar sovranitetin e të gjithë territorit dhe sigurinë e prosperitetin ekonomik për të gjithë popullin afgan, njëkohësisht duke luajtur një rol konstruktiv në rajon.
#