Shqipëri, të rinjtë injektojnë aktivizëm në politikë
Financial Times
Richard Lapper
Rrëzimi i statujës së ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha, në qendër të Tiranës la mbresa të thella mbi Erion Veliajn, i cili e përshkruan atë ditë të vitit 1991 si “ngjarjen më emocionuese” të fëmijërisë së tij. Tashmë 30 vjeç, Veliaj, aktivist i njohur politik, ende frymëzohet nga ajo betejë që filloi kur studentët e ish-universitetit “Enver Hoxha” të Tiranës u ngritën fillimisht për ndryshimin e emrit të institucionit të
tyre. “Po”, thotë ai, “metodat dhe taktikat e organizimit politik të lëvizjes masive që përmbysi regjimin më të ashpër komunist të Europës nuk mund të jenë domosdoshmërisht të njëjta me ato që nevojiten sot për të luftuar korrupsionin masiv dhe për të promovuar një qeverisje më të përgjegjshme në demokracinë e brishtë shqiptare”. “Njerëzit i njehsojnë protestat me dhunën nga ’97-ta,” thotë Z. Veliaj, një nga themeluesit e lëvizjes “Mjaft!” dhe me pas i partisë politike G99. “Ata nuk duan të shkojnë, ndaj ne na duhet ta bëjmë politikën tërheqëse, të hapur dhe të prekshme nga të gjithë”. Si rrjedhojë, në vend që të mbështetej në teknikat tradicionale të mobilizimit dhe aktivizmit siç janë fletëpalosjet, broshurat me mesazhe, takimet apo fushatat derë më derë, “Mjaft!” – e themeluar në vitin 2003,
– u organizua më shumë përmes sms-ve! Kjo lëvizje përdori “teatrin e rrugës” si një formë proteste të menduar
për të tërhequr imagjinatën e publikut, por mbi të gjitha për ta bërë mesazhin e vet sa më të kuptueshëm e sa më gjithëpërfshirës për publikun. Kështu ndodhi që grupe aktivistësh - të mobilizuar përmes sms-ve – të mblidheshin papritur dhe pa paralajmërim, e duke sjellë me vete edhe “personazhe” të tillë si gomarë apo manekinë nusesh, të zgjedhura edhe për të tërhequr vëmendjen e medias, të përcillnin mesazhe të forta qytetare
ndaj politikës. “Në këtë mënyrë, ne synonim ta shndërronim në qesharake dhe të sikletshme çdo kundërvënie të mundshme nga ana e qeverisë”, thotë Veliaj. Kjo lloj përqasjeje e mundësuar sidomos mbi mbështetjen në një komunikim maksimal mes aktivistëve, është mënyra tipike me të cilën të rinjtë kanë filluar të
praktikojnë sot politikën e re. Gjatë revolucionit Portokalli në Ukrainë dhe gjatë protestave kundër zgjedhjeve të një viti më parë në Iran, aktivistët e rinj përdornin
teknika të ngjashme. “Ne bashkëpunuam me protestues që ishin të përfshirë në revolucionin Portokalli”, thotë Erion Veliaj, sipas të cilit “ishte e jashtëzakonshme të shikoje njerëzit me të cilët kishim marrë pjesë në aktivitete të përbashkëta që papritur të shfaqeshin në televizion gjatë ditëve të revolucionit si protagonistë kryesorë të tij”. Ky stil i ri po bëhet gjithashtu i dukshëm nëpër vendet më të zhvilluara ku pavarësisht zvogëlimit të anëtarësisë nëpër organizata politike dhe
uljes së përqindjes së votuesve – të rinjtë sërish nuk po bëhen aspak aq të depolitizuar, apo indiferentë ndaj politikës, siç kanë treguar disa sondazhe, por përkundrazi!. “Të rinjtë po ripërkufizojnë çfarë është politika”, thotë Ashok Regmi, një
aktivist nga Nepali, i cili tani është drejtues programi pranë
”International Youth Foundation” në Baltimorë. Të rinjtë aktivistë politikë kanë qenë veçanërisht të shpejtë dhe shumë
efikasë në përdorimin e telefonave celularë, sms-ve, dhe faqeve sociale si “Facebook” apo “Twitter” gjatë fushatave të tyre, saqë të gjithë aktivistët e sotëm janë duke i përdorur gjithnjë e më shumë këto mjete të reja komunikimi. Z. Veliaj thotë se themeluesit e organizatës së tij ishin shumë të ndikuar
nga shkrimtari amerikan, Malcolm Gladwell, libri i të cilit “Tipping Point” shtjellon sesi rrymat sociale zhvillohen dhe shpesh merr shembuj për këtë shtjellim nga bota e biznesit.
Ky fokus i ri do të thotë që aktivistët rinorë kanë prioritete të ndryshme nga brezi i prindërve të tyre. Megjithatë, çështja e madhe për brezin e sotëm të të rinjve politikisht të përgjegjshëm, veçanërisht në vendet më të pasura, është se si të arrijnë një rol më të madh në shoqëri. “Ka një nevojë reale për të përshkallëzuar këto iniciativa”, thotë Veliaj. “Të rinjtë kërkojnë ndryshimin dhe e duan tani! Për t’ia arritur
kësaj duhet të zhvillojnë strategji afatgjata”.
#